Zëdhënësja e LDK-së për çështjen e librave: Nuk do të ishte temë sikur të kishim një Qeveri të përgjegjshme

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar përsëri në lidhje me pajisjen e librave për nxënësit.

Halimi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sot familjarët mund të pushojnë lirshëm dhe të dalin të shëtisin, mirëpo ata kanë brengen për sigurimin e librave për fëmijët dhe kështu janë duke vrapuar nga një librari në tjetrën.

Ndër të tjera ka thënë se nëse do të ishte një qeveri e përgjegjshme dhe e dijshme, kjo nuk do të ishte temë.

Postimi i plotë:

Sot është e diel, vikendi i parë i shtatorit, mot i jashtëzakonshëm, mundësi ideale që prindërit të kalojnë kohë pushimi me fëmijët e tyre, në Parkun e Gërmisë apo kudo tjetër. Mirëpo Qeveria që komplikon gjithçka, ua ka shtuar një brengë më shumë, duke i detyruar të vrapojnë nga një librari në tjetrën, e të presin në radhë të gjata, për librat që shpesh edhe nuk mund t’i gjejnë.

Kjo nuk do të ishte temë sikur të kishim një Qeveri të përgjegjshme dhe të dijshme. Tashti në vend se të flisnim për digjitalizim të shkollave e inteligjencë artificiale, sikur krejt bota e zhvilluar, na duhet të përballemi me këto sajesa e harrnime të një Qeverie të paaftë!