Zgjedhjet e parakohshme: Partitë opozitare pa pajtim a të shpërndahet Kuvendi a të dorëhiqet Kurti

I duan zgjedhjet e parakohshme, por nuk pajtohen se si të arrijnë deri te to. Partitë opozitare në Kosovë mbeten të ndara – Partia Demokratike e Kosovës pajtohet që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat duan fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Opsionin e fundit, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, “nuk e konsideron”.

Në përpjekje për të arritur një konsensus, grupet parlamentare u mblodhën në fillim të kësaj jave, por pa sukses.

Mandati i Qeverisë aktuale skadon në fillim të vitit të ardhshëm.

Debatin për zgjedhje të parakohshme, opozita ka kohë që e ka nisur, duke e kritikuar Kurtin për keqqeverisje.

Por, ai është intensifikuar nga java e kaluar, kur Kurti ka takuar kryetarin e PDK-së – partisë më të madhe opozitare – Memli Krasniqi, dhe ka shprehur gatishmëri për të diskutuar datën e zgjedhjeve.

Për PDK-në, ajo duhet të jetë sa më parë.

Fundin e qershorit ose fillimin e korrikut e sheh si kohë për zgjedhje edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, por këmbëngul që Kurti, së pari, të japë dorëheqje, e pastaj të shpërndahet Kuvendi.

Kjo këmbëngulje, sipas tij, bëhet për faktin se Qeveria aktuale duhet të marrë përgjegjësi për dështimet, përfshirë mosanëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Shpërndarja e Kuvendit është një lloj marrëveshjeje që i ka përafruar Vetëvendosjen dhe PDK-në politikisht”, sipas tij.

Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në deklarata të mëhershme kanë thënë se kërkojnë, fillimisht, dorëheqjen e Kurtit, ose një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së tij.

Këtë qëndrim e ka përsëritur më 21 maj zyrtari i kësaj partie, Daut Haradinaj, në një intervistë për Televizionin T7 në Prishtinë.

“Në rast se thirret një seancë e jashtëzakonshme, ku kërkohet mocion për shpërbërjen e Qeverisë, ne jemi të gatshëm ta japim votën”, ka thënë ai.

Qeveria e Kurtit ka qenë shënjestër e kritikave të komunitetit ndërkombëtar së voni, për shkak të disa hapave që janë cilësuar si të pakoordinuar me të, përfshirë këtu marrjen e vendimit për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në Kosovë e të tjera.

Ajo është nën trysninë e diplomatëve perëndimorë edhe për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mungesa e hapave në këtë drejtim e ka lënë Kosovën edhe jashtë agjendës së një takimi të Këshillit të Evropës javën e kaluar, ku do të vendosej për anëtarësimin e saj.

Kurti ka thënë më 15 maj se Qeveria e tij është “gjithmonë gati”, raporton REL.