Zgjedhjet në Luginë: Ardita Sinani shpall fitoren në Preshevë, Fronti për Ndryshim fiton Bujanocin

Ardita Sinani nga PVD ka shpallur fitoren në Preshevë derisa “Fronti për Ndryshim” del të jetë fitues në Bujanoc.

Ardita Sinani e ka shpallur fitoren në Preshevë për zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën.

“Subjekti ynë politik i ka 4078 vota, PDSH-ja e dyta. Kjo fitore përpos që është rritje për subjektin tonë politik, krahasim me numrin në rënie të votuesve, për neve është shumëfish më e madh e ne kemi dominuar në të gjitha bastionet e jemi dominues në bastionet e APN-së”, ka deklaruar Sinani.

Sipas Sinanit, ky proces zgjedhor është shumë i rëndësishëm.

Ajo ka shtuar se do të qeverisë për katër vjetët e ardhshme “me maturi e përgjegjësi”.

Rezultatet preliminare në zgjedhjet lokale në Preshevë:

Partia për Veprim Demokratik – 4078 vota – 11 këshilltarë

Partia Demokratike Shqiptare – 3093 vota – 8 këshilltarë

Alternativa për Ndryshim – 2856 vota – 8 këshilltarë

Lëvizja për reforma – 2140 vota – 6 këshilltarë

Aleanca për Luginën – 1154 vota – 3 këshilltarë

Unioni Demokratik Shqiptar – 566 vota – 1 këshilltar

Lista serbe – 641 vota – 1 këshilltar

Ndërsa Fronti për Ndryshim shpall fitoren e zgjedhjeve në Bujanoc.

Procesi i votimit në dy komunat e Luginës së Preshevës, Preshevë dhe Bujanoc ka përfunduar pa ndonjë incident serioz .

Sipas zyrtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Preshevë dhe Bujanoc gjithçka ka shkuar relativisht mirë, me incidente të lokalizuara.

Dalja në votime llogaritet të jetë mbi 30 për qind.

Kujtojmë se nga ora 07:00 në Preshevë dhe Bujanoc, janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e nivelit lokal. Presheva ka rreth 43500 votues të cilët kanë votuar në 37 qendra të vendvotimit për 39 mandate.

Në Bujanoc kanë pasur të drejtë vote gjithsej 43046 votues të cilët kanë votuar në 59 vendvotime për 41 mandate.

Në të dy komunat vlen rregulli i njëjtë, i arritjes së shumicës prej 21 mandateve të këshilltarëve për të arritur zgjedhjen e kryetarit të komunës, i cili pra nuk zgjidhet me votën e drejtpërdrejt, por me shumicë këshilltarësh.

Në Preshevë në garë kanë qenë 6 subjekte shqiptare dhe 1 të pakicës serbe.

Në Bujanoc ndërkaq kanë garuar 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.