Zjarri në IML, reagon Haxhiu: Nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave

Sot në mëngjes, ndërtesa e Institutit të Mjekësisë Ligjore është kapluar nga zjarri.

Ndërsa Policia e Kosovës dhe Prokuroria ka nisur hetimet e rrethanave që kanë shkaktuar zjarrin në këtë objekt.

Për rastin ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave”, ka shkruar ajo në Facebook.

Postimi i plotë:

Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri.

Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave.

Ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit. Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre.

Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndërvite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë.

Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë.