Zogaj: Ka rënë interesimi i qytetarëve për t’i adaptuar qentë endacak, gjatë verës funksionalizohet strehimorja

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se gjatë sezonit të verës të gjithë qentë endacak do të zhvendosen në strehimore e re në Bërnicë, e cila është në përfundim e sipër.

Ndonëse kanë marrë vendim që të subvencionohen qytetarët që adaptojnë qenë endacak, kjo sipas Zogajt nuk është shumë e kënaqshme pasi numri i të interesuar ishte shumë i vogël.

Zogaj e pranon që prania e qenve endacak është njëri ndër shqetësimet kryesore në Kryeqytet.

“Prania e qenve endacak në Prishtinë është problemi më i madh mundem me thënë lirisht sepse ka dal edhe në anketat e fundit si një prej vërejtjeve me të mëdha të qytetarëve të Prishtinës. Konsiderohet që janë dikun mbi 5 mijë endacak në Komunën e Prishtinës ne gjatë këtyre dy viteve të kaluara kemi shpenzuar shumë para e fonde për të kastru dhe sterilizuar qentë endacak që ata të jenë më pak të rrezikshëm për qytetarët e Prishtinës, gjithashtu edhe i ushqejmë në vazhdimësi të mos jenë të uritur dhe të jenë më pak të rrezikshëm. E kemi shpallur edhe një thirrje për adoptim të qenve endacak ku ne edhe paguajmë subvencionojmë 50 euro për secilin qenë endacak që një familje e merr”, ka thënë Zogaj.