Zogaj: Shpresoj që qasja e krijuar ndaj gjyqësorit të ndryshojë, narrativa e mosbesimit dëmton Kosovën

Duke folur për synimet që ka për gjyqësorin në rizgjedhje në pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se shpreson se Qeveria dhe Kuvendi, por edhe publiku të ndryshojë qasjen lidhur me besimin në sistemin e drejtësisë pasi që mosbesimi në gjyqësor dëmton jo vetëm gjyqësorin, por edhe qytetarët e veçanërisht Republikën e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

“Shpresoj se edhe qasja e Qeverisë dhe e Kuvendit edhe e publikut të ndryshojë sepse narrativi i mosbesimit në sistemin gjyqësor nuk e dëmton vetëm gjyqësorin, por e dëmton qytetarin, gjyqësorin, por në mënyrë të veçantë e dëmton Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit dhe vlerësimit ndërkombëtar”, tha Zogaj.

Zogaj u ka bërë thirrje Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve e partnerëve tjerë, që puna e gjyqësorit të vlerësohet dhe të mos vendosen norma pesimiste, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është një thirrje për Qeverinë edhe për institucionet tjera, por edhe për partnerët sepse nuk mund të vendosim norma pesimiste dhe mohuese mbi punën që është bërë, por duhet të vlerësohet dhe të vazhdohet edhe më tutje”, tha Zogaj.