Kosova ende s’i ka bërë hapat e prekshëm drejt formimit të Asociacionit, pavarësisht letrës që sot i nisi kryediplomatja Donika Gërvalla, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, thotë Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
“QUINT-i dhe të tjerët në vazhdimësi kanë theksuar se nga Kosova pritet që të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme për dy të treta në Komitetin e Ministrave, që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.
Sipas Gjermanisë, dorëzimi i draft-statutit para mbledhjes do të kishte nënkuptuar një “hap të prekshëm”. Ambasada na e rikujtoi deklaratën e Jorn Rohde se “Kosova tani duhet ta bëjë pjesën e rëndë”.
Ndryshe, Donika Gërvalla-Schwarz, ministrja e Punëve të Jashtme, i ka shkruar letër Këshillit të Evropës, dhe e ka njoftuar se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serbe të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftimin e ministres të bërë kë mëngjes në Facebook.
Sipas Gërvallës, ky draft-statut, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb dhe njëkohësisht respekton Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Këshillit të Evropës.
“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, shkruan tutje ajo, transmeton Gazeta Sinjali.