Zubin Potok: Ia dogji lokalin familjes së gruas, arrestohet i dyshuari

Një person është arrestuar pasi ia ka vënë flakën një lokali në Zubin Potok.

Policia e Kosovës ka reaguar duke parandaluar djegien e shtëpisë nga i njëjti peros, të cilin në shtëpi iu  janë gjetur një uniformë ushtarake, një radiolidhje dhe 22 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Policia e Kosovës njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, është njoftuar se në afërsi të Kuvendit Komunal në Zubin Potok një lokal ka marrë flakë dhe është duke u djegur. Menjëherë njësia policor i është përgjigjur rastit dhe ka dalë në vendin e ngjarjes që ndodhej në rrugën “Kolasinski Knjezeva”.

“Zjarri fillimisht është lokalizuar nga zyrtarët policor që gjendeshin në sigurim të objektit komunal në Zubin Potok së bashku me pronarin e lokalit, përderisa në vend të ngjarjes gjithashtu ka dal edhe njësia e Zjarrfikësve. Përveç dëmeve materiale fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar. Sipas informacioneve fillestare, hetimeve preliminare policore dhe dëshmive të gjetura nga policia në vendin e ngjarjes dyshohej se zjarri është shkaktuar qëllimshëm. Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe burimeve operative në ora 00:50, Policia e Kosovës ka arrit ta identifikoj dhe ta arrestoj personin e dyshuar të përfshirë në këtë rast në rrugën “Kolasinskih Knjezeva” në Zubin Potok, në përpjekje për të  ikur nga vendi i ngjarjes, ku i njëjti gjithashtu kishte tentuar që t’ia vë flaken edhe shtëpisë private të pronarit të njëjtë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Të dyshuarit tani më të arrestuar në posedim i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet për vënie të zjarrit, siç janë një shishe plastike e mbushur me benzinë e modifikuar si koktej molotovi dhe dy shkrepëse për ndezje të zjarrit.

“Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: një radiolidhje, një uniformë ushtarake, dy pllaka të antiplumbit, një palë trenerka me njolla gjaku, si dhe njëzet e dy aparate për prodhimin e kriptovalutave. Sipas informatave dyshohet se i dyshuari këto veprime i ka marrë ndaj pronave të familjes së gruas së tij, si pasojë e një mosmarrëveshje paraprake me gruan, pasi që kjo e fundit ishte larguar nga shtëpia dhe kishte shkuar që të jetojë në familjen e vet. Në vendin e ngjarjes ka dal edhe njësia e hetimeve rajonale të cilët kanë kontaktuar me prokurorin kujdestar dhe me udhëzim të tij ndaj të dyshuarit  është caktuar masa e ndalimit për 48-orë për procedura të mëtejme ligjore. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e jetës dhe pronës së të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim, si dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj kryerësve të veprave penale apo sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë”, thuhet në komunikatë.