Zv/drejtori i Policisë së Kosovës dërgohet në Rashkë nga autoritetet serbe

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është dërguar është ndaluar sot nga autoritetet serbe në Pikën Kufitare në Jarinjë, në një kundërpërgjigje hakmarrëse të Serbisë ndaj votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Siç raporton sot portali Dukagjini, Jankoviq është dërguar në Rashkë, ku po dyshohet se po keqtrajtohet.

Këtë ndalese autoritetet e Serbisë e kane arsyetuar si “shkelje të rendit kushtetues” nga ana e Jankoviqit.

Edhe mbi 300 qytetarë kosovarë janë ndaluar sot në pikë kalimet kufitare të Serbisë.

Jeton Zulfaj, këshilltar për çështje evropiane dhe rajonale në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë sot gjatë ditës se në mesin e të ndaluarve nga autoritetet e Serbisë në pikat kufitare është edhe Jankoviq, zyrtar i lartë policor nga komuniteti serb.

Të gjithë të bllokuarit, mes tyre dhjetëra fëmijë, siç ka thënë Zulfaj, “po mbahen peng pa u siguruar ushqim dhe mjekim”.

“Putini i vogël në Beograd nuk mund ta përballojë suksesin e Kosovës. Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në APKE ai ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim”, ka shkruar Zulfaj në rrjetin social “X”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i bëri sot thirrje Serbisë që të ndalojë “së turpëruari veten” dhe duhet të sigurojë lirinë e lëvizjes së të gjithëve.

“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë ta lërë Kosovën të kalojnë kufirin e Batrovcit, Serbi- Hungari për mbajtësit e ID/pasaportës! Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, tha Von Cramon.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.