Zyra e Kinës në Prishtinë, ja cili është roli i saj

Me fjalët e inteligjencës perëndimore, Kina përbën një kërcënim në rritje për sigurinë globale. Përshkruhet si një fuqi që synon supremacinë dhe përpiqet ta shfrytëzojë epërsinë e saj ekonomike për të arritur qëllime politike.

Shteti komunist, në dekadën e fundit, ka zgjeruar dukshëm ndikimin e tij në Ballkan, duke krijuar lidhje më të forta me disa qeveri dhe duke u përqendruar në sektorë specifikë, si infrastruktura apo energjia, për bashkëpunim. Në vende si Serbia përfshirja kineze vërehet, madje, edhe në kulturë, media dhe arsim.

Përjashtim nga ky model përbën Kosova, thonë autoritetet e saj. Ndonëse prej Kinës importon mallra në vlerë prej qindra miliona eurosh në vit, vendi nuk ka lejuar ndonjë investim të madh kinez apo ndikim tjetër.

Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por respekton, siç thotë, integritetin territorial të Serbisë, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e trajton ende si pjesë të territorit të saj.

Rrjedhimisht, dy vendet nuk kanë as marrëdhënie diplomatike, por, prej vitesh, Kina ka në Kosovë një zyrë ndërlidhëse, e cila funksionon nën Ambasadën kineze në Beograd.

Radio Evropa e Lirë i kontaktoi të dyja këto institucione për t’i pyetur rreth aktiviteteve të saj, por nuk mori përgjigje.

Ekipi i REL-it ishte i pranishëm edhe tek objekti i zyrës në Lagjen Arbëria në Prishtinë, më datën 7 maj, por sigurimi aty tha se nuk ka personel brenda dhe se ka “rreth dhjetë ditë” që aty nuk ka qenë dikush.

Në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku janë të listuara ambasadat dhe misionet e huaja në Kosovë, figuron edhe Zyra Ndërlidhëse e Kinës. Aty janë publike disa kontakte, por ueb-faqja e zyrës, që do të mund të ofronte informacione për aktivitetet e saj, nuk është funksionale.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a e përcjell punën e Zyrës së Kinës në Kosovë, a ka kontakte me të dhe a merr ndonjë raport prej saj, Qeveria e Kosovës, në përgjigjen e përbashkët me MPJD-në, nuk ofroi shumë detaje.

“Sigurisht që ne jemi në dijeni për praninë e të gjitha misioneve që veprojnë në Republikën e Kosovës dhe për aktivitetet e tyre në vend. Sa i përket Zyrës së Kinës në Kosovë, ne si Qeveri nuk kemi ndonjë komunikim me të, marrë parasysh raportet ndërmjet dy vendeve”, thuhet në përgjigje.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, se çfarë kontaktesh ka me Zyrën e Kinës në Kosovë dhe a asiston në komunikimet mes saj dhe institucioneve të Kosovës, por nuk mori përgjigje.

Në ueb-faqen e UNMIK-ut shkruan se më 16 shkurt të këtij viti, shefja e këtij misioni, Caroline Ziadeh, ka pritur shefin e Zyrës së Republikës Popullore të Kinës në Prishtinë, Cheng Lei. Mes tjerash thuhet se Ziadeh ka vënë në pah “iniciativat e UNMIK-ut për ndërtimin e besimit”, por nuk specifikohet më shumë.

Nga kërkimet që bëri Radio Evropa e Lirë në internet rezulton se, muajin e kaluar, Cheng është pritur edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në platformën LinkedIn, Rama ka shkruar se me zotin Cheng kanë diskutuar “mundësi të shumta të bashkëpunimit” në fushat e ekonomisë, artit e kulturës.

“U informova se Qeveria e Kinës, deri tani, ka lëshuar viza për më shumë se 1.000 përfaqësues biznesesh nga Kosova”, ka thënë, mes tjerash, Rama.

Po në prill, Cheng ka takuar edhe kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu. Ky i fundit, në një postim në Facebook, ka shkruar se në takim, mes tjerash, është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme e veçanërisht në lehtësimin e të bërit biznes.

Jashtë politikës, Cheng është pritur nga kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ka thënë se ka kërkuar nga Cheng që, përmes Zyrës së Kinës, komitetet olimpike të të dyja vendeve të lidhin bashkëpunim në fushën e sportit – për ç’gjë diplomati kinez është pajtuar.

Mimoza Ahmetaj, e cila ka shërbyer si ambasadore e Republikës së Kosovës në disa shtete, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Kosova duhet të përfitojë nga prania e secilit mision të huaj diplomatik në vend, përfshirë edhe atë të Kinës. Partneriteti i ndërtuar me to, thotë ajo, do të shërbente, pastaj, në realizimin e objektivave të vetë Kosovës.

“Bashkëpunimi në mes shteteve është në disa dimensione – politik, diplomatik, në aspektin e sigurisë, kulturor, tregtar, ekonomik… Pra, është një gamë e gjerë bashkëpunimi. Normalisht që neve na intereson ta faktorizojmë Kosovën dhe duhet gjetur forma… Unë nuk do të doja që Kosova të ndërtonte mure mes shteteve, por, përkundrazi, ura bashkëpunimi”, thotë Ahmetaj.