Qeveria e Kosovës ka vendosur ta zgjasë edhe për një javë procesin e regjistrimit të popullsisë.
Në një njoftim të Qeverisë bëhet e ditur se kjo ka qenë kërkesë e disa komunave. Vendimi është marrë në një mbledhje elektronike të kabinetit qeverisës.
Procesin e regjistrimit deri më 24 maj do ta zhvillojnë vetëm stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet në njoftim. Intervistat dhe regjistrimi do ta mbulojë tërë territorin e Kosovës, kur identifikohet që dikush nuk ka mundur të regjistrohej më herët.
Përmes portalit “eDiaspora” procesi i regjistrimit të popullsisë për diasporën është zgjatur deri më 31 gusht.
Regjistrimi ka filluar nga data 5 prill derisa është planifikuar të përfundoj më 17 maj.
Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani ndërsa rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.