Zyrtarët amerikanë: Një raketë izraelite ka goditur Iranin

Një raketë izraelite e ka goditur Iranin, i kanë thënë dy zyrtarë amerikanë televizionit CBS.

Mediat shtetërore iraniane po raportojnë se fluturimet janë pezulluar mbi disa qytete, sipas agjencisë “Associated Press”, raporton televizioni BBC.

Irani ka qenë në gjendje të lartë gatishmërie, pasi Izraeli kishte thënë se do t’i kundërpërgjigjej sulmit iranian të së shtunës.

Forcat iraniane shkrepën bateri të mbrojtjes ajrore në një bazë të rëndësishme ajrore dhe në një qendër bërthamore afër qytetit Isfahan, pasi disa dronë u vërejtën të premten herët në mëngjes, duke shkaktuar frikë për një hakmarrje të mundshme nga Izraeli për sulmin e pashembullt me dronë e raketa, raporton agjencia “Associated Press”.

Nuk qe e qartë nëse Irani është sulmuar dhe asnjë zyrtar iranian nuk e pranoi drejtpërdrejt këtë mundësi. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, citoi zyrtarë anonimë izraelitë që e morën përgjegjësinë për sulmin.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se bateritë e mbrojtjes ajrore u shkrepën në disa provinca pas raportimeve për disa dronë që ishin parë në ajër.

Lajmi duke u plotësuar…nga Nacionale.