Zyrtari i PDK-së: Eksponentët e pushtetit i bën bashkë urrejtja ndaj UÇK-së

Zyrtari i PDK-së, Petrit Hajdari, ka bërë me dije se fyerjen e UÇK-së nga eksponentët e pushtetit nuk janë të rastësishme.

Ai ka vlerësuar se e vetmja gjë që i bashkon ata është urrejtja ndaj UÇK-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se pushteti fillimisht negocioi me Radojçiçin për pensionet e veteranëve, pastaj vazhdoi minim i UÇK-së në studio televizive.

“Nuk duhet të çuditet askush që eksponentët e pushtetit sot e fyejnë UÇK-në. Të veshur me petkun e analistit apo të kryetares së grupit parlamentar të pushtetit, ata i bashkon një gjë: urrejtja për atë që mijëra gra e burra bënë për Kosovën e sotme. Kalimi është krejt i natyrshëm. Fillimisht negocim me Radojçiçin për pensionet e veteranëve e çka jo tjetër, pastaj minim i UÇK-së në studio televizive. Miq të dashur, kjo është gjithçka tjetër, veç e rastësishme jo. Një forcë politike që dështimin më të madh e ka koordinimin me miqtë e Kosovës, kur vjen puna te UÇK-ja, pa kurrfarë problemi koordinohet me armiqtë e po kësaj Kosove”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar se pse njerëzit e tillë i pengon UÇK-ja.

“Krimi i vetëm UÇK-së është guximi. Guxim që i bën të ndihen inferiorë neojugosllavët që kanë gjetur prehje në prehërin politik të pushtetit të sotëm. Kjo emblemë dhe këto shkronja, jo vetëm që s’hiqen dot nga historia, por s’hiqen as nga ëndrrat tuaja të sëmura. UÇK nuk rrëzohet!”, ka shkruar ai.