Tregu i banesave në Kosovë me çmime enorme të larta

Në Kosovë kemi treg shumë të madh të banesave, përkatësisht ofertë të stërmadhe, ndërkohë në vend që të ketë çmime më pak shpërthyese, ato janë enorme të larta, dhe kanë shpërthyer sidomos në muajt pas krizës së pandemisë COVID 19 dhe shpërthimit të luftës ruso-ukrainase dhe në periudhën qëkur Kosova është përfshrë nga kriza globale e çmimeve, nga ngitja enorme e materialeve për ndërtim dhe nga kriza energjetike.

Mehmet GJATA

Tregu i të të gjitha produkteve, por edhe ai i shërbimeve në Kosovë, ka kohë që është i ç’rregulluar, madje herë –herë edhe kaotik dhe i prirur qartazi kah anarkia.

Te produktet esenciale ushqimore, ato të shportës pra, që për çdo ditë janë të domosdoshme për çdo familje, tregtarët e Kosovës, qëkur janë shpërfaqur shkëndijat e para të krizës globale të çmimeve, që nuk e kurseu as vendin tonë, kanë vepruar sipas vullnetit individual dhe jashtë çdo kontrolli institucional. Thënë më qartë, kanë ngritur çmimet si kanë dashtë, të shumtët nga ta duke tentuar të përfitojnë nga situata e krijuar për t’u pasuruar brenda natës.

Dhe, ç’është më keq, kjo tendencë po vazhdon sot e kësaj dite, edhe pas miratimit të Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Edhe më tutje, siç po shihet përditë në marketet dhe supermarketet tona shpërthejnë çmime të reja të ngritura të shumicës së produkteve ushqimore, ndërsa tregtarët as që duan të dëgjojnë për masat institucionale,vazhdojnë të ngrisin çmimet egërsisht të vetëdijshëm se pa këto produkte, pavarësisht çmimit të tyre, asnjë familje nuk mund ta tejkalojë ditën.

Ndërsa, çështje tjetër tërësisht janë çmimet e patundshmërive, e sidomos tregu i banesave në ndërtesat kolektive, që pas luftës kanë mbi si kërpudhat pas shiut, në Kosovë. Tregu i banesave dhe përgjithësisht i patundshmërive, është interesant, shumë i veçantë për t’u analizuar, ngase, në këtë treg, fare nuk vlejnë parimet e tregut të lirë, të ofertës dhe kërkesës, që kudo në botën kapitaliste përcakton çmimet e një produkti.

Në Kosovë kemi treg shumë të madh të banesave, përkatësisht ofertë të stërmadhe, ndërkohë që në vend që të ketë çmime më pak shpërthyese të larta, kemi çmime enorme të ngritura të banesave, sidomos në muajt, pas krizës së pandemisë COVID 19 dhe shpërthimit të luftës ruso-ukrainase dhe në periudhën qëkur Kosova është përfshirë nga kriza globale e çmimeve nga ngitja enorme e materialeve për ndërtim dhe nga kriza energjetike.

Në këtë periudhë, çmimet e banesave janë ngritur ndjeshëm. Së fundi, sipas agjencive që merren me paluajtshmëri çmimet e banesave në Kosovë por edhe ato të qirave janë rritur rreth 25 për qind, rritje kjo e cila nga ndërtimtarët dhe tregtarët e banesave paralajmërohet të vazhdojë.

Çmimi i banesave të ndërtesat kolektive të banimit, pas krizës së pandemisë COVID 19 dhe shpërthimit të luftës ruso-ukrainase ka shënuar ngritje të madhe. Po të krahasohen çmimet aktuale që e dominojnë tregun e banesave në Kosovë me çmimet e 1,5-2 vjetve të kaluara, del që ato të jenë shkuar në qiell.

Ndërsa, në Kosovë, në kryeqytet, sidomos, por edhe në qendrat e tjera komunale, ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, dhe trendi i ndërtimeve po vazhdon hovshëm, sadoqë ndërtimtarët pretendojnë ta minimizojnë ritmin imponues të ndërtimeve banesore. Është evidente pra, se në Kosovë, gjithandej, në kryeqytet, në qendra te tjera komunale më të mëdha, por edhe në ato më të vogla, po ndërtohet shumë, megjithë faktin se ka kohë që në tregun e banesave në vendin tonë dominon në përmasa goxha të mëdha oferta karrshi kërkeës.

Megjithatë, siç shihet, dhe siç dëshmojnë edhe të dhënat nga shitblerjet e banesave, krahas dominimit të ofertës dhe çmimeve enorme të larta të tyre, ka edhe goxha kërkesa për shtiblerje. Çmimi i banesave në Kosovë, kudo, nga dita në ditë, po vjen duke u ngritur vazhdimisht. Tani një metër katror i një banese në pjesët e qendrës së Prishtinës, flitet se po tregtohet me 2.000 e 3.000 euro, dhe përtej këtyre shifrave, ndërkohë që vjet ky çmim ka lëvizur nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro. Njësoj me çmime të ngritura shumë, shiten edhe banesat në lagjet në afërsi të drejtëpërdrejt me qendrën, por edhe në zonat më periferike të kryeqytetit, ku një metër katror ka arritur në 1.000 deri në 1.500 euro, çmim ky që në vitin e kaluar sillej nga 750 deri në 850 euro. Çmimet e banesave janë ngritur ndjeshëm edhe në qendrat e tjera të Kosovës, dhe tani një metër katror në zonat e qendrave komunale thuaja askund nuk mund të gjesh nën 700-900 euro, ndërkohë që në vitet paraprake në qytetet e shumta të Kosovës, edhe përgjatë zonave të qendrës, ka dominuar çmimi prej 400-500 eurosh.

Sipas Indeksit të Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e dytë 2022, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të bërë publik kohë më parë ndërtimet shënuan ngritje për 2.2% në tremujorin e dytë 2022, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Ndërkaq, krahasuar me çmimet e ndërtimit në tremujorin e dytë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati ngritje për 19.8%.

Sado që, thuaja askush, as nga ndërtuesit, as nga agjencitë e tregtimit të patundshmërive, nuk flet për nivelin stratosferik të çmimeve që kanë arritur në Kosovë, dhe nuk saktëson çmimin e një banese, sipas llogarive të thjeshta, çmimi i banesave edhe në Kosovë, edhe pse tregu i ndërtimeve duket i ngopur dhe i tejngopur, ka shkuar thuaja rreth përgjysmë më lartë se sa ka qenë bie fjala në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2020 dhe shumë më lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Po, çka thonë ndërtimtarët rreth këtyre çmimeve dhe ku janë shkaqet, sipas tyre, për gjithë këtë shtrenjtim të banesave në Kosovë, edhe përkundër faktit se ka ofertë të madhe edhe numerikisht të banesave në treg.

Në Shoqatën e Ndërtimtareve të Kosovës dhe agjencitë e patundshmërisë, thonë se rritja e çmimeve të shitjes dhe qirave të banesave ka ndodhur për shkak të inflacionit dhe rritjes së materialeve ndërtimore. Ata madje theksojnë se kjo rritje e çmimeve të materialeve ndërtimore është pothuajse 100 për qind në krahasim me vitin 2020. Ndërtimtarët, kompanitë ndërtimore që kanë treg më të madh në Prishtinë, theksojnë se çmimi i ngritur i banesave është kryekëput pasojë e ngritjes së çmimeve të materialit ndërtimor, sidomos të hekurit (armëbetonit) dhe të blloqeve e tullave të ndërtimit, i inflacionit dhe i kostos së ndërtimit të një banese. Dhe, është e vërtetë se çmimet e hekurit dhe të materialeve të tjera të nevojshme për një banesë janë ngritur ndjeshëm, sidomos gjatë kohës së pandemisë COVID 19 dhe sidomos pas eskalimit të luftës ruso-ukrainase.

Sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare që përcjellin ekzaktësisht lëvizjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, çmimi i hekurit (armëbetonit) në rajon më 17 qershor ka qenë 1.350 dollarë për një tonelatë. Ndërsa, një tonelatë e hekurit më 9 qershor ka kushtuar 1.400 dollarë. Nga fillimi i këtij viti, një tonelatë e hekurit çmimin më të lartë në tregjet e rajonit e ka pasur më 4 prill, kur një ton hekur për ndërtimtari ka kushtuar 1.610 dollarë, ndërsa me çmimin më të ulët, ose 1.300 dollarë për një ton, hekuri është tregtuar më 18 maj, kanë transmetuar mediet e rajonit.

Sipas ndërtimtarëve të Kosovës, rritje të madhe të çmimeve në vitin e fundit kanë pasur materialet, transporti dhe puna e ndërlidhur me ndërtim. Një nga ndërtimtarët potentë dhe goxha në zë, në tregun e banesave në Kosovë, por që do të mbetët anonim, për Buletinin Ekonomik ka dhënë shifra konkrete të ngritjes së çmimeve të materialeve. Sipas tij, nga fillimi i këtij viti është shënuar 60% rritje e çmimit të hekurit. Dhe, ai parashikon se shumë shpejtë rritja e hekurit do të arrijë në 84 për qind. Rritja e materialeve të plastikës, të nevojshme për ndërtimin e banesave ka shkuar në 80 për qind, ndërsa e produkteve nga druri (dërrasave dhe trerëve) 63%, Rritja e çmimit të stiroporit ka arritur në 62%, ndërsa e çmimit të bllokave në 30 për qind. Ai nuk lë pa përmend edhe katër-pesëfishimin e cmimit të transportit nga Kina që ka arritur, sipas tij, në 400 për qind. Këto janë shkaqet kryesore, sipas ndërtimtarëve të vendit për rritjën e çmimit të banesave në Kosovë.

Mirëpo, sipas njohësve të ndërtimtarisë kosovare, çështja e çmimeve të ngritura dhe karrshi këtyre çmimeve të larta prap se prap vazhdimësia e kërkesës së lakmueshme në tregun e ndërtimeve, në Kosovë, është më komplekse dhe nuk është vetëm rrjedhojë e shtrenjtimit të materialit të ndërtimit. Ata, e shpjeojnë anomalinë e ofertës dhe kërkesës në tregun e ndërtimeve në Republikën tonë, përkatësisht çmimet e norme të larta dhe kërkesën pokështu goxha konstante dhe pa rënie të theksueshme për të blerë banesa në mënyrë më komplekse dhe më të detajuar. Sipas tyre, ndikim të madh në këtë shpërputhje evidente të çmimeve të larta të ofertës dhe kërkesës të panndalshme për të blerë banesa kanë në radhë të parë normat tepër të ulëta të interesit nga bankat për paratë e deponuara të qytetarëve, por edhe shitja me kredi, me rata pagese të banesave (nga disa ndërtimtarë pa kamatë fare).

Në këtë mënyrë qytetarët, qoftë ata nga diaspora, qoftë vendorët, e kanë parë leverdinë që paranë e tyre ta investojnë në patundshmëri, sidomos në banesa, çmimi i të cilave vetëm sa po ngritet, para se t’i deponojnë në bankë, ku fitimi është fare simbolik, ose nuk ka fare fitim. Më konkretisht, një banesë 70-80 metra katror e blerë para 2-3 vitesh me çmimin 750-850 eurosh, tani mund të shitët me çmimin më së paku 1.100 euro metri katrorë, dhe llogaritnni sa do të fitojë blerësi i banesës. Edhe, nëse ky blerës vendos që banesën e blerë ta lëshojë me qera, prap se prap fitimi është ndjeshëm më i madh se sa parat e kostos së banesës të deponoheshin diku në ndonjë bankë. Jo rrallë, çmimi i qeradhënies është i barabartë, ose i përafërt me ratën që blerësi është ngarkuar nga kredia e angazhuar për blerjën e banesës. Këto janë llogaritë që i bëjnë banesëblerësit, të cilët kanë para për të bërë këto llogari, dhe ata nuk janë të paktë as këtu, as në diaporë. Prandaj, në Kosovë ka shumë banesa, ka shumë sosh në ndërtim dhe që po nisin të ndërtohën dhe, siç u tha, ka jo pak blerës. Këto janë shkaqet që megjithë këto çmime i bëjnë ndërtimtarët optimistë për shitblerjen e tyre, dhe të vazhdojnë heshtazi shpërfaqjën e kënaqësisë për rrjedhën në tregtimit të banesave në vend, përkundër varfërisë së kosovarëve dhe mungesës së parave te kosovarët rezidentë. Gjithsesi, shpresat më të mëdha i kanë te mërgata jonë, prirja e tyre që të investojnë lehtësisht në paluajtshmëri, e sidomos në blerjën e banesave. /Buletini Ekonomik/