Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi dje raportin më të fundit të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve, në të cilin u konstatua se norma vjetore e inflacionit në Kosovë deri në qershor ka arritur në 14.1%.
Duke iu referuar kësaj, njohësi i ekonomisë, Edison Jakurti, ka bërë një krahasim rreth vlerës reale të 100 eurove vjet dhe sivjet.
Sipas tij, gjatë vitit 2021 vlera reale e 100 eurove ka qenë 92.7 euro, ndërsa në qershor 2022 ka rënë në rreth 81.2 euro.
“Sipas ASK-së, inflacioni në qershor paska qenë 14.1%. Sa për krahasim: vlera reale e 100 eurove në qershor 2021 ka qenë rreth 92.7 euro, ndërsa në qershor 2022 ka rënë në rreth 81.2 euro”, ka shkruar Jakurti në një postim në facebook.
Ai rekomandon se në mënyrë që të ruhet fuqia blerëse, dhe rrjedhimisht edhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës, duhet që sa më parë të vendosen çmime tavan për produktet e shportëz bazë të konsumatorit. /Buletini Ekonomik/