Gjakovari kapet “mat” me armaturë të vjedhur, e përdori karrocën e supermarketit për bartje

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri.

Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen në flagrancë.

Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Gjakovë, ku një person është kapur mat nga Policia duke vjedhur material ndërtimor.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 25-vjeçari dyshohet se kishte vjedhur një karrocë të marketit ‘Super Viva’ dhe me të më pas kishte vjedhur armaturë në një objekt banesor që është në ndërtim.

Të gjitha këto dyshime i ka pranuar vetë i dyshuari i cili u intervistua lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të riut t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.