Kur guxojnë policët ta përdorin armën e zjarrit kundër qytetarëve?

Dy polic u plagosën. Derisa po kryenin detyrën e tyre, ata hasen në rezistencë nga disa qytetarë të komunës së Skenderajt, dhe mes të dyshuarve është edhe Nuredin Lushtaku – ish nënkryetar i Komunës.

Policia e Kosovës tashmë edhe e ka konfirmuar rastin e plagosjes së dy zyrtarëve policorë mbrëmë në Skenderaj.

Policia bën të ditur se njëri nga policët është plagosur me armë zjarri në këmbë teksa polici tjetër është lënduar nga mjetet e forta.

Në lidhje me dyshimet kundër tij vet Lushtaku, ka mohuar akuzat, se ka përdorur armë.

Ai për Kallxo ka thënë se në fakt ishte polici që e plagosi kolegun e tij.

IPK mohon të ketë zyrtarë policorë duke u hetuar për këtë rast

Në një përgjigjje për Gazetën Nacionale, Inspektoriati Policor i Kosovës ka thënë se nuk ka zyrtarë policor që po hetohet për këtë rast.

“Pas njoftimit, të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar). Për detaje shtesë ju lutem i referoheni Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Një përleshje fizike, në mes qytetarëve e policisë, kishte ndodhur në Fushë Kosovë, në vitin 2020.

Meqë policët, nuk po arrinin ta fusnin situatën nën kontroll, para qytetarëve që sulmonin dhe i grushtonin ata, në një moment njëri nga policët, e nxjerrë armën dhe shtie mbi qytetarin.

E një rast shumë më i rëndë kishte ndodhur në Gjilan. Një aksident trafiku në mes një zyrtari policor dhe një qytetari, çoi në përleshje verbale e fizike. Pas konfliktit, që sipas dëshmitarëve, nuk ishte kushedi sa serioz, polici V.H, nxori armën e tij zyrtare dhe shtiu në kokë ndaj qytetarit, duke e lënë atë të vdekur në vend.

Për këtë rast, polici në fjalë është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata Themelore në Gjilan.

A trajnohen policët specifikisht për përdorimin e armës ndaj qytetarëve dhe si qëndron Kosova në këtë aspekt?

Rashit Çalaj ish Drejtor i Policisë së Kosovës ka dhënë holllësi për Gazetën Nacionale.

“Zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës, trajnohen që nga trajnimi bazik, për përdorimin e armëve të zjarrit. Ata trajnohen disa herë, për gjuajtje me armë zjarri, gjithashtu kanë trajnime teorike nga inspektorët, se si dhe kur duhet të gjuajnë, gjithmonë në bazë të rregulloreve të brendshme të Policisë. Por në realitet, kur polici vie në një situatë të tillë, pra që ta përdor armën e zjarrit, që mund të jetë kundër njeriut, sado që ata janë të trajnuar, duhet të kihet parasysh që kanë shumë pak kohë të vendosin, është çështje sekondash që ata vendosin që ta përdorin armën e zjarrit.”

Duhet të kihet parasysh, që arma e zjarrit duhet të përdoret si mjet i fundit, dhe të jetë gjithmonë si forcë proporcionale. Momenti kur polici e përdor armën është moment shumë delikat edhe për vet policin, por duhet të dihet se polici është i autorizuar, i pajisur dhe i trajnuar për situata të tilla, gjithmonë duke tentuar të shpëtohet një jetë osë më shumë sosh,” – shpjegoi Çalaj.

Por, a është i kënaqur ish Drejtori i Policisë që tashmë flet në cilësinë e ekspertit me mënyrën se si policët e Kosovës e menaxhojnë një situatë të tillë?

Çalaj ishte shprehur se Koosva qëndronte shumë mirë në këtë aspekt.

“Realisht në Kosovë nuk ka pasur shumë raste kur (policët) janë detyruar ta përdorin armën. Kosova absulutisht qëndron shumë mirë. Policët e Kosovës janë shumë të kujdesshëm në përdorimin e armës. Në krahasim me Republikën e Shqipërisë, Serbisë apo Maqedonisë, Kosova sipas meje qëndron shumë më mirë,” ka shtuar Çalaj.

Çka thotë Ligji?

Ligji për Policinë, i ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e specifikon shprehimisht, se kur zyrtari policor guxon ta përdorë armën e zyrtare, ndaj qytetarit.

Në nenin 27 të këtij ligji, kapitulli ku flet mbi Pëdorimin e armëve të zjarrit, thotë kështu:

“Zyrtari policor është i autorizuar ta përdor armën e zjarrit kundër personit tjetër vetëm kur mjetet më pak ekstreme janë të pamjaftueshme që ta: mbrojë jetën e vet ose jetën e të tjerëve nga sulmet e pashmangshme; parandalojë kryerjen e pashmangshme apo vazhdimësinë e veprës penale që shkakton rrezik të lartë për jetën; arrestoj personin i cili paraqet rrezik për jetën e të tjerëve dhe që u reziston urdhrave ligjor të dhëna nga zyrtari policor dhe parandaloj arratisjen e personit i cili paraqet rrezik të pashmangshëm për e personave të tjerë dhe që u reziston urdhrave ligjorë të dhënë nga zyrtari policor”.

Madje në ligj janë të specifikuara edhe veprimet që duhen të ndërmirren para përdorimit të armës, si dhe situatat e caktuara dhe veprimet se si polici duhet të reagojë. /Nacionale/