Kurti: Janë tri kategori të grupeve kriminale në veri, nuk dorëzohem para tyre

Kryeministri Albin Kurti tha sot se qeveria nuk do të dorëzohet përballë grupeve kriminale të cilat dëshirojnë ta destabilizojnë shtetin e Kosovës.

Ai, derisa po raportonte në Kuvendin e Kosovës lidhur me ngjarjet në veri të vendit, tha se tri kategori të grupeve kriminale veprojnë në veri.

Kurti deklaroi se objektet komunale në veri i takojnë Republikës së Kosovës, jo grupeve kriminale.

“Pasuria e objekteve publike të Kosovës, i takojnë Republikës së Kosovës. Përdorimi i tyre është i rregulluar me ligj në këtë kuvend. Unë nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale testojnë rendin ligjor e kushtetues të Republikës”, tha Kurti.

“Janë tri kategori mes tyre: kategoria e parë janë kriminelët e mbrojtjes civile, kta janë pjesa ekstremiste, shoviniste e cila e admiron Millosheviqin dhe Putinin. Kategoria e dytë janë ata të administratës publike, të cilët nëse nuk dalin në protesta e humbin pagën dhe kategoria e tretë janë kompanitë e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit”, deklaroi kryeministri.

Ai tha se Qeveria e Kosovës është qartësisht e orientuar kah Perëndimi.

Kurti e quajti shtetin serb një “shtet autokrat” dhe tha se Kosova nuk mund ta kompensojë Beogradin për luftën e humbur nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.