Kush duhet të paguajë për riparimet, pronari apo qiramarrësi? Çfarë thotë ligji në Kosovë?

Ligji në Kosovë e përcakton që riparimet e investimit në apartament duhet të paguhen nga pronari i pronës, e jo nga qiramarrësi.

Një numër i madh njerëzish në Kosovë, sidomos ata në Prishtinë, jetojnë në apartamente me qira, dhe shumë prej tyre duhet të paguajnë për riparime në pasuri të paluajtshme edhe pse nuk janë pronarë, kështu që shumë pyesin nëse është detyrim i tyre.

Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve përcakton se qiradhënësi, gjegjësisht pronari i banesës, është i detyruar ta mbajë pronën në gjendje të mirë për kohëzgjatjen e qirasë dhe t’i bëjë riparimet e nevojshme.

Në nenin 587 të këtij ligji, janë katër paragrafë që e sqarojnë se kush është i obliguar të bëjë meremetimet në objektin e lëshuar me qira.

Paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni flasin për meremetimet e sendeve në objekt, dhe këto ja obligojnë pronarit (qiradhënësit).

Paragrafi 1 i nenit 587: Qiradhënësi ka për detyrë t’i mirëmbajë sendet në gjendje të rregullt gjatë kohës së qirasë dhe për këtë arsye të bëjë riparime të nevojshme në të.

Paragrafi 2 i nenit 587: Ai ka për detyrë t’i kompensojë qiramarrësit shpenzimet që i ka bërë ky për mirëmbajtjen e sendit, e që do t’i kishte për detyrë ky t’i bënte.

Ndërsa, dy paragrafët tjerë, flasin për meremetimet e vogla, të cilat shkojnë në përgjegjësi të qiramarrësit.

Paragrafi 3 i nenit 587: Shpenzimet e meremetimeve të vogla të shkaktuara nga përdorimi i zakonshëm i sendit, si dhe shpenzimet e vetë përdorimit bien në ngarkim të qiramarrësit.

Paragrafi 4 i nenit 587: Mbi nevojën e riparimit qiramarrësi ka për detyrë ta njoftojë qiradhënësin.

Reporteri.net, për këtë temë ka biseduar edhe me një zyrtar ligjor i cili ka shpjeguar se ligji e përcakton qartë se pronari i banesës paguan për riparime investimi. Riparimet e investimeve, sipas tij, i referohen të gjitha riparimeve të mëdha në apartament. Sipas tij, këto riparime përfshijnë, riparimin e kaldajave, lavatriçeve, shporeteve, frigoriferëve…

Megjithatë, pronari dhe qiramarrësi e kanë lirinë të merren vesh ndryshe në kontratë, nga ajo që e përcakton ligji.

“Pronari dhe qiramarrësi mund të bien dakord ndryshe në kontratë, që qiramarrësi të paguajë për riparimin. Përndryshe, sipas ligjit riparimet e vazhdueshme në kuptimin e ndërrimit të llambave dhe të ngjashme duhet patjetër të paguhen nga qiramarrësi”, thotë ai.