Në cilin vend të BE-së paguhen punëtorët më shumë?

Kriza e kostos së jetesës po bën që shumë vende në Europë të përballen me vështirësi të ndryshme.

Lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës dhe kriza energjetike që erdhi si pasojë e kësaj lufte, kanë sjellë rritje të konsiderueshme të çmimeve, me inflacionin në Bashkimin Europian (BE) i cili ka arritur shifrën vjetore prej 11.1% në muajin nëntor.

Disa vende të BE-së po përjetojnë një inflacion më të lartë se 20%, me normën që shkon deri në 23.1% në Hungari, 21.7% në Letoni dhe 21.4% në Lituani dhe Estoni.

Normat vjetore më të ulëta të inflacionit u regjistruan në Spanjë (6.7%), Francë (7.1%) dhe Maltë (7.2%).

Mbretëria e Bashkuar aktualisht ka një normë inflacioni prej 10.7%, krahasuar me nivelin 11.1% të tetorit, i cili shënoi shifrën më të lartë që nga tetori i vitit 1981.

Pagat mesatare për punonjësit në vendet e BE-së tregojnë se kush janë ata që paguhen më shumë dhe, në këtë aspekt, vihen re diferenca të mëdha midis të ardhurave më të larta dhe atyre më të ulëta.

Luksemburgu kryeson listën, me pagën mesatare prej 72.25 mijë £, ndërsa Danimarka është e dyta me 63.26 mijë £.

Në tre vendet e para është edhe Irlanda, ku paga mesatare vjetore për një punonjës është 50.35 mijë £.

Bullgaria, ku inflacioni është aktualisht 14.3%, renditet në fund të kësaj liste, pasi punonjësit fitojnë mesatarisht vetëm 10.35 mijë £ në vit.

Mbi Bullgarinë vjen Hungaria (12.62 mijë £) dhe Rumania (13 mijë £), sipas shifrave të Eurostat.

Paga mesatare për punonjësit me kohë të plotë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 33 mijë £ për vitin tatimor që përfundon më 5 prill 2022 – 5.7% më shumë se një vit më parë, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare.

Kjo shifër e vendos Mbretërinë e Bashkuar pak më lart se vende si Spanja (28.18 mijë £) dhe Italia (29.95 mijë £).

Profesionet më të paguara në Mbretërinë e Bashkuar janë menaxherët, drejtorët dhe zyrtarët e lartë, ku paga mesatare vjetore mund të arrijë deri në 80 mijë £.

Një valë grevash po godet Britaninë në prag të Krishtlindjeve, pasi punonjësit në të gjithë vendin po organizojnë protesta të mëdha.

Mosmarrëveshjet mbi pagat, pensionet, vendet dhe kushtet e punës duket se do të përshkallëzohen në javët e ardhshme dhe përgjatë janarit.

Drejtuesit e sindikatave po kërkojnë rritje të pagave dhe kushte më të mira pune nga qeveria për punonjësit. Protestave pritet që t’u bashkohen këtë muaj edhe shoferët e trenave, mësuesit dhe stafi i postës.

Punonjësit e ambulancës filluan grevën të mërkurën, ndërsa sindikatat kanë paralajmëruar për një përshkallëzim të grevave të infermierëve në muajt e ardhshëm nëse qeveria nuk bie dakord për një rritje pagash prej 19%.