Nënshkruhet marrëveshja për Shërbime Ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi

Kryeministri i vendit Albin Kurti sot ka pritur në takim homologun e tij nga Mali i Zi, Dritan Abazoviq.

Kurti dhe Abazoviq po ashtu kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Pas takimit, kryeministrat Kurti dhe Abazoviq do të kenë deklarim për media.

Ndryshe, Abazoviq dhe delegacioni që e shoqëron, u prit nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili ia dhuroi “Çelësin e Prishtinës”.

Abazoviq ka mbërritur në Prishtinë gjatë së enjtes dhe vizitoi objektet fetare e kulturore, përfshi Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë si dhe Katedralen Nënë Tereza.

Kryeministri i Malit të Zi gjithashtu takoi edhe ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në vijim të vizitës së tij, që pritet të mbyllet të shtunën, Abazoviq ka paralajmëruar takim edhe me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Po ashtu, Abazoviq do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.

Kryeministri Abazoviq do të takohet me Gjeneralin e KFOR-in Michelle Rastuçia dhe do vizitojë Galerinë Kombëtare të Kosovës i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Sportit dhe Rinisë, Hajrulla Çeku, dhe drejtoreshën e Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani.

Abazoviq gjatë vizitës së punës në Kosovë do ta vizitojë Pejën, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.

Abazoviq do të vizitojë Rezidencën historike të Ibrahim Rugovës dhe do bëj homazh te varri i tij në Prishtinë, si dhe do bëj homazhe te varri i profesorit universitar dhe poetit nga Ulqini, Basri Çapriqit.

Pjesë e agjendës së Abazoviq janë edhe takimet me konsullin e nderit të Malit të Zi në Kosovë, Gazmend Abrashi, dhe me konsullin e nderit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Shkëlqim Devolli. Gjithashtu, janë paraparë takime me organizata dhe në universitete private.