Për 13 vjet, numri i nxënësve në Kosovë ka rënë për 30.3%

134.366 nxënës më pak ndjekin mësimin në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës në vitin 2021/22 krahasuar me vitin shkollor 2008/2009, sipas të dhënave të publikuara të premten nga Instituti GAP.

Sipas GAP-it, kjo përkthehet në një rënien prej 30.3 për qind. Numri i nxënësve, sipas Institutit, ka shënuar rënie vazhdimisht.

Rënie më të madhe të numrit të nxënësve ka në komunat e Kamenicës dhe Junikut (-53%), Rahovecit, Dragashit dhe Vitisë (-45%), dhe Gjilanit dhe Suharekës (-41%).

Sa i përket personelit arsimor, që përfshin mësimdhënësit, personelin administrativ dhe personelin ndihmës, numri i tyre ka mbetur thuajse i njëjtë që nga viti shkollor 2013/2014, kur MASHT-i publikoi të dhëna të detajuara për këtë kategori.

“Në krahasim me vitin shkollor 2013/2014, në vitin shkollor 2021/2022, numri i mësimdhënësve ka rënë për -1%, numri i personelit ndihmës është rritur me 6%, ndërsa numri i personelit administrativ ka rënë për -3%”, thuhet në njoftimin e GAP-it.