Për gjashtë muaj Kosovën e lëshuan 108 mjekë

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 108 mjekë kanë lënë punën në institucionet publike shëndetësore për të vazhduar ushtrimin e profesionit jashtë vendit. Për të parandaluar këtë dukuri shqetësuese për shëndetësinë kosovare kërkohet krijimi i kushteve më të mira të punës dhe miratimi i Ligjit të pagave.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, duke e konsideruar si shqetësim të madh largimin e mjekëve nga SHSKUK-ja tha se Kosova ka dështuar në përpilimin e një strategjie të mirëfilltë për resurse njerëzore.

Sejdiu tha se krahas mjekëve tashmë nga Kosova po ikin edhe specializantët për shkak të kushteve jo të mira për shkollim specialistik.

“Tash po e tejkalon numrin që ne e kemi prognozuar për këtë vit ka qenë 200 deri 210 deri në fund të vitit, tash vetëm në 6 mujorin e parë i kemi 108 të cilët vetëm se i kanë bërë gati dokumentet, certifikatën për pastërti etiko-profesionale, që iu duhet kur të largohen… Presim që deri në fund të vitit me siguri mbi 220 mjekë të rinj kryesisht sepse në kuadër të tyre janë diku 7-8 specialistë, janë mbi 36 specializantë dhe të tjerë janë mjekë që po diplomohen dhe kjo është një alarm dhe nuk ka një prognozë të mirë”, tha ai.

Zgjidhje e sheh investimin më serioz në shëndetësi nga të gjitha aspektet.

Ikjen e mjekëve nga Kosova ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e konsideron si problem rrënjësor për shëndetësinë kosovare. Por, ndonëse shprehet se po punon në krijimin e kushteve më të mira për profesionistët shëndetësorë, Latifi theksoi se asnjëherë nuk do të mund ta ndalojë këtë dukuri të ikjes së trurit në 100%.

“Vendimi i një mjeku apo një infermiereje të qëndroj në Kosovë ose të shkoj jashtë është shumë kompleks, t’i ndërroj të gjitha elementet, t’i ndërtoj të gjitha qendrat e ekselencës dhe të gjitha programet që strategjia dhe qeveria jonë i ka përpara, ne nuk do të mundemi me ndal 100% largimin e mjekëve prej një vendi në tjetrin”, theksoi Latifi.

Zgjidhja më mirë për të parandaluar ikjen e mjekëve nga Kosova, sipas drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, është miratimi i Ligjit të pagave.

“Ajo që nevojitet më së shumti është Ligji i pagave ku punëtorëve shëndetësorë do t’ju sigurohet dhe garantohet një pagë e dinjtetshme në raport me shkollimin që kanë kryer dhe punën që bëjnë në kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve që do të jetë mënyra më e mirë dhe sinjali më i mirë që punëtorëve shëndetësorë t’u bëhet me dije se janë të nevojshëm dhe duhet të qëndrojnë në vendin e tyre për të ofruar shërbime shëndetësore. Është e drejtë e secilit individ, edhe e mjekëve, edhe infermierëve, për të synuar më të mirën e mundshme për profesionet e tyre dhe familjet e tyre. Por, ajo që neve na nevojitet më së shumti në këtë fazë është miratimi i Ligjit të pagave ku punëtorët shëndetësorë do ta gjenin vendin e tyre të merituar”, u shpreh ai.

Të shqetësuar për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga sektori publik shprehen edhe nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve.

Besim Kodra, nga kjo shoqatë, thekson për KosovaPress se si pasojë e ikjes së mjekëve po rriten listat e pritjes dhe po bie kualiteti i shërbimeve shëndetësore. Ai kërkon nga shteti që të përmirësojë kushtet e punëtorëve shëndetësorë.

“Kjo padyshim që shkakton vështirësi për shkak se do të rrisë listat e pritjes në anën tjetër qytetarët të cilët kanë nevoja shëndetësore nuk mund t’i realizojnë ato si rezultat i mungesës së stafit që duhet t’i realizojë ato nevoja, edhe kjo padyshim që ndikon edhe në shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve pse jo edhe në jetëgjatësi. Për këtë duhet të mendojë shteti dhe të punojë për të rritur kualitetin e shërbimeve shëndetësore dhe kushtet e punës për ata punëtorë shëndetësorë në mënyrë që ata të punojnë këtu për misionin që janë shkolluar dhe kanë nevojë pacientët”, theksoi Kodra./ KosovaPress