Protesta kundër Hekuran Muratit, ky është vendimi i fundit i PSD-së

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka njoftuar se e kanë shtyrë protestën kundër Hekuran Muratit ‘për një moment të dytë’, shkruan Express.

Molliqaj tha se presioni i qytetarëve e detyroi Muratin “të përkulet para luftës së UÇK-së” dhe sipas tij kjo është “fitore e qytetarëve”.

Ndër të tjerash, Molliqaj tha se duhet organizim më i fuqishëm për një “fitore më të madhe se kjo”.

“Mirëpo, për një fitore edhe më të madhe se kjo, ku e vërteta për çlirimin do të ishte e pacenushme, një herë e mirë, duhet një organizim edhe më i fuqishëm. Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja”, ka shkruar në Facebook kreu i PSD-së.

PSD po kërkon dorëheqjen e Muratit pasi këtij të fundit iu shpërnda postimi që e kishte bërë në vitin 2016, ku kishte shkruar se Kosovës më shumë po i kushtojnë veteranët se sa do i kishin kushtuar disa mercenarë.

I njëjti, të premten, u ka kërkuar falje publike luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.

“E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Dardan Molliqajt:

Murati i ri është ai i vjetri

Me çka matet një pendesë nëse jo me veprime politike? Me çka matet vërtetësia e fjalës së thënë përpos me materializim të saj? Cila është konsekuenca politike e një pozicioni rrënues ndaj bindjeve tona si shoqëri, për liri e çlirim? Çfarë mbetet nga kërkimfalja, kur asaj i kalkulohet motivi? Cili na qenka morali i saj?

Që ministri Murati ka ndërruar, zor t’i zihet besë. Ajo logjikë nxjerr krye tek vonesa në reagim. E përllogaritur sikur tek statusi për koston financiare të lirisë. Pendesa duket ndryshe dhe pasohet nga veprime konkrete. Test provues më i afërt në kohë do të jetë ligji për pagën minimale.

Në ndërkohë, Partia Socialdemokrate do të vazhdojë me aktivitete në shërbim të dekonstruktimit të kësaj Qeverie anti-UÇK dhe do t’i kundërshtojë pa kompromis të gjitha elementet e saj.

Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë.

Mirëpo, për një fitore edhe më të madhe se kjo, ku e vërteta për çlirimin do të ishte e pacenushme, një herë e mirë, duhet një organizim edhe më i fuqishëm. Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja.

Në këtë rrethanë, ne duhet që protestën ta shtyjmë për një moment të dytë. Ditëve në vijim do të njoftoheni për aktivitetet e radhës.