Pa recetë, vetëm me para mund të blesh antibiotikë në barnatore të Prishtinës: Nuk po zbatohen ligjet

Shtatë euro e 60 centë mjaftojnë për t’i blerë dy lloje antibiotikësh në barnatore në Prishtinë.

Përveç parave, shitësit nuk kërkojnë asgjë tjetër… as recetë nga mjeku.

“Po, ne japim antibiotikë edhe pa recetë… Pse çka ka të keqe?!”, thotë një teknike e farmacisë për Radion Evropa e Lirë, në një nga barnatoret në lagjen Dardania në Prishtinë.

Edhe pse vetëm teknike e farmacisë e jo farmaciste, ajo tregon se si duhet të përdoret lloji i antibiotikut të blerë, Amoxicillin.

Farmacisti Shkumbin Jusufi, anëtar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, beson se ndër shkaqet kryesore të këtij problemi është mungesa e farmacistëve, të cilët në barnatore në Kosovë zëvendësohen shpeshherë me teknikë të farmacisë.

“Unë mendoj se ata e bëjnë abuzimin më të madh. Ata nuk ia dinë të mirat dhe të këqijat antibiotikut. Ai [tekniku] është jokompetent për atë që e jep. Te ne, pas orës 15:00, 99 për qind e barnatoreve punojnë pa farmacistë e pa njeri kompetent”, thotë Jusufi.

Kosova ka ligj dhe udhëzim administrativ që e ndalon shitjen e ilaçeve pa recetë. Por, ato nuk respektohen.

Në udhëzimin administrativ mbi recetat në sistemin shëndetësor në Kosovë thuhet se “farmacisti ka të drejtë të japë vetëm barin, i cili është i përshkruar në recetë” maksimumi deri në tri ditë pas përshkrimit të antibiotikut nga mjeku.

Mikrobiologu Lul Raka, nga Universiteti i Prishtinës, thotë se keqpërdorimi i antibiotikëve po e çon njerëzimin drejt një kërcënimi serioz: shfaqjen dhe përhapjen e rezistencës ndaj antibiotikëve.

“Antibiotikët nuk guxojnë të jepen pa recetë të mjekut. Nëse ka ligje, ato duhet të zbatohen. Edhe inspektorati duhet të veprojë. Në anën tjetër, edhe vetë qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se nëse blejnë antibiotikë pa u konsultuar me mjekun, e kanë gabim”, thotë Raka.