“Ende s’dihet”, “po bëhen llogaritjet”: Qeveria Kurti vazhdon ta mbajë sekret vlerën e koeficientit

Çështja e vlerës së koeficientit po vazhdon të jetë tëmë aktuale në Kosovë. Përkundër miratimin të Ligjit të Pagave, i cili do të hyjë në fuqi me 4 shkurt, ende nuk dihet sa është saktësisht vlera e koeficientit. Përkundër insistimit të partive opozitare, analistëve e gazetarëve, Qeveria Kurti është treguar hermetikisht e mbyllur rreth çështjes së vlerës së koeficientit.

Në fakt, edhe dy ministra të tjerë të Qeverisë Kurti nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me këtë çështje. Madje, ministrat Murati e Nagavci kanë deklaruar se vlera e koeficientit ende është duke u përllogaritur.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dje dha një intervistë në Kanal10. Në emisionin “Prime”, zonja Nagavci është është pyetur nga ana e gazetarit edhe për vlerën e koeficientit.

Në fakt, gazetari insistoi të di se pse është mbajtur fshehur vlera e koeficientit. Në këtë pyetje, zonja Nagavci tha se vlera e koeficientit ende s’është caktuar.

“E kemi bërë disa herë, nuk është se është mbajtur fshehtë vlera e koeficientit, por nuk është caktuar akoma koeficienti. Dhe nuk mund ta dijmë pa u caktu përfundimisht.” – tha ajo.

Tutje zonja Nagavci vlerësoi se ligji i pagave nuk është ligj për rritjen e pagave.

“Ligji është ligji i pagave, nuk është ligj për rritjen e pagave.” – tha ajo.

“Besoj që përfundimisht janë renditur mirë punëtorët e arsimit, në raport me të punësuarit tjerë të sektorit publik. Janë larguar diferenca të mëdha në mes të zyrtarëve publik. Partitë opozitare kanë qenë në pushtet përpara nesh për vite me radhë, e kanë lënë një sistem të pagave me pabarazi të mëdha. Ne dimë që dallime në sektorin publik janë evidente në sektor të ndryshëm. Ka pasur jo pak raste kur persona me kualifikim fillor kanë pasur pagë më të madhe në krahasim me ata me studime mastër, sepse kanë qenë pjesë e një sektori që ka pasur një miratim.” – shtoi ministrja Nagavci.

Për çështjen e shumës financiare të koeficientit është pyetur edhe ministri Hekuran Murati. Në një konferencë për çështjen e tatimit në pronë, z. Murati deklaroi se është vlera e koeficientit është duke u përllogaritur, duke shtuar se nuk e kanë mbajtur të fshehtë atë.

“Ne nuk e kemi mbajtur të fshehtë vlerën e koefcientit, mirëpo janë duke u bërë përllogaritjet.” – tha Murati.

Kujtojmë që në publik janë diskutuar disa mundësi të vlerës së koeficientit. Madje AAK-ja kishte kërkuar që koeficienti të jetë 129 euro. Por edhe ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shkruar ditë më parë se vlera e koeficientit të pagës duhet të jetë 137.5 euro.

“Bazuar në një llogaritje të thjeshtë: një vlerë e koeficientit prej 125 euro i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse, siç kanë qenë në dhjetor 2021 përpara rritjes së çmimeve. Pra, kjo vlerë e koeficientit nuk paraqet rritje reale të pagave. Rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. Çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.” – shkroi z. Hoti në profilin e tij./Nacionale