Remi uron kryetarët shqiptarë: U deshën 25 vite që në veri të ketë zgjedhje demokratike

Ish-deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa(Remi), ka uruar kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se janë dashur 25 vite që në këto komuna të organizohen zgjedhje demokratike.

Sipas tij, zgjedhjet e prillit ishin demokratike.

“Urime Kryetarve të Komunave të Veriut të Kosovës! U deshën 25 vite që komunat e veriut të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku të përzgjedhin kryetarët e tyre në rrethana demokratike dhe me votën e legjitime. Këto zgjedhje ishin të mirë koordinuara me vendet e Kuintit dhe në veçanti me ShBA-të, duke shtuar besueshmërinë e procesit të zgjedhjeve në këto komuna. Përkrahja e miqëve tonë është shumë e mirëpritur, dhe si e tillë prodhon siguri të shtuar në këto hapësira të cilat për një kohë të gjatë vuajnë nga mungesa e rendit dhe ligjit”, ka shkruar ai.

Ai nuk i ka përmendur shumë kritikat e ndërkombëtareve për veprimet e djeshme në veri.

Sipas tij, kritikat dhe përkrahja e aleatëve e forcojnë shtetin e Kosovës.

“Jemi të bekuar se me miqtë tanë do të ndertojmë modelin e suksesit , Pavarsinë e Kosovës qe ështe projekt i përbashkët i vendit tonë me vendet e Nato-s të prira nga SHBA… Nuk mundet askush dhe aq më pak grupet e organizuara si të “moderuara” të Vuçiqit të sjellin pikëpyetje në modelin e suksesit, Pavarsinë e Kosovës… Përkrahja dhe kritikat që vinë nga niqët tanë në përgjithësi, SHBA në veqanti janë të mirëpritura dhe ndihmojnë gjithëanshëm vendin tomë. Gëzuar dhe fillim i mbarë kryetarëve të zgjedhur në Komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq”, ka shkruar Mustafa.