“Ndërkombëtarët ta sanksionojnë Serbinë për situatën në veri”

Pas thirrjeve të shumta për koordinim më faktorin ndërkombëtar, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të vendit, analistët në Kosovë thonë se bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të shohin realitetin që po ndodh në veri. Sipas tyre, reagime e sanksione duhet të ketë edhe ndaj Serbisë, e cila është ajo që nuk po i zbaton marrëveshjet.

Në Kosovë vazhdojnë thirrjet për ulje të tensioneve në veri të vendit, ndërsa analistët thonë se duhet urgjentisht të dyja palët të ulen në tavolinën e bisedimeve. Njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci, tha për Radio Kosovën se beson që do të ketë koordinim për të ecur tutje.

“Urgjentisht të dyja palët duhet të kthehen në tryezën e dialogut për të vazhduar zbatimin e marrëveshjes së propozuar nga Gjermania dhe Franca, por asnjë mundësi për ri-hapje të asaj marrëveshjeje. Për të ecur tutje, gjithmonë duhet të ketë mundësi qasje edhe për dialog, por në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment çështja e veriut nuk duhet të jetë pjesë e dialogut, për të pyetur Serbinë se kur ne duhet ta luftojmë krimin dhe kontrabandën në veri”, tha Raci.

Sipas tij, Kosova është prezent si asnjëherë më parë në katër komunat në veri.

“I gjithë presioni publik ndaj kësaj qeverie deri tani ka qenë që me e shtri sovranitetin në këto komuna. Tashmë sovraniteti është shtrirë dhe duhet të gjithë ta mbështesim këtë aksion, sepse është për Kosovën dhe po ndodh në Kosovë, nuk po bëhet në asnjë territor jashtë Kosovës”, deklaroi ai.

Analistja Arta Tahiri, tha për Radio Kosovën se është shumë e rëndësishme që zgjidhja e situatës në veri, të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Por, ajo theksoi se Bashkimi Evropian, ka heshtur në vazhdimësi ndaj shtetit që nuk po i zbaton marrëveshjet.

“Nuk kemi parë në fakt reagime nga faktori ndërkombëtar, në këtë rast nga Bashkimi Evropian për të sanksionuar Serbinë. Kurse, situata e tanishme e krijuar që shpesh po shihet si e iniciuar nga Kosova ose institucionet e Kosovës, tashmë u riaktivizuan për të dënuar akte të tilla. Po reagojnë pikërisht aty ku është kërkuar të respektohen institucionet apo ligjet e Kosovës në tërë territorin e Kosovës. Faktori ndërkombëtar, e mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të shohin realitetin që po ndodh në atë zonë”, deklaroi ajo

Tahiri, shprehu bindjen se institucionet e Kosovës janë në koordinim me faktorin ndërkombëtar, e veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të zgjidhur situatën.