Komuniteti shqiptaro-amerikan: ShBA-ja t’i japë fund përkëdheljes së Serbisë

Komuniteti shqiptaro-amerikan ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm kundër Serbisë për siç thuhet, nxitje të dhunës dhe sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë.

Në një deklaratë për media të këtij komuniteti thuhet se “aktet e dhunës së kryer nga grupe të organizuara pro-ruse nga Serbia ndaj policëve të Kosovës, trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe gazetarëve në veriun e Kosovës dëshmojnë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë.

“Aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga regjimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë. Këto akte dhune nga Vuçiqi dhe falangat e tij, brenda territorit sovran të Republikës së Kosovës, nuk mund të kalojnë pa një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Tutje thuhet se ata janë të shqetësuar “se qëllimi i regjimit të Beogradit, në përputhje me lojalitetin e tyre ndaj Rusisë, është që konflikti të shpërthejë dhe të përhapet në vendet fqinje, duke ndezur potencialisht luftëra të reja në Ballkan – për të hapur një front tjetër në Evropë”.

“Është e domosdoshme që SHBA dhe aleatët e saj të kuptojnë më në fund peshën e rëndë të situatës dhe të marrin një qëndrim të vendosur kundër shantazhit nga Serbia në vend të përkëdheljes së vazhdueshme ndaj provokimeve të saj. Është thelbësore që Serbia të kuptojë përkushtimin e Perëndimit drejt paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, dhe se pasojat e veprimeve në kundërshtim me këtë do të jenë të rrepta”, thuhet në deklaratë.

Ata kanë kërkuar që Qeveria dhe opozita të bashkohen “kundër provokimeve të Serbisë”.

“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës dhe partitë opozitare që të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb, dhe të koordinohen ngushtë me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundër mungesës së fundit të masave të domosdoshme kundër Vuçiqit dhe ndërmarrjes së tij kriminale, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të jenë mbështetës i fuqishëm i sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës – përkushtuar për të mbështetur demokracinë e saj pa përjashtim”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre SHBA-ja duhet “t’i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë”.

“Po ashtu, para se të bëhet vonë, i bëjmë thirrje administratës amerikane që t’i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë dhe të insistojë që çdo dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të udhëhiqet nga SHBA dhe të ketë në qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Sërbisë, siç është deklaruar qartë Presidenti Biden dhe katër presidentët para tij”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre “duke forcuar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të dy vendet mund të punojnë drejt përfundimit të ciklit të dhunës dhe arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Ballkan, duke evituar ndikimin dhe agresionin rus dhe kinez në Evropën Juglindore.

Nënshkruese të kësaj deklaratë janë organizatat shqiptaro-amerikane: Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA) Batalioni Atlantiku – Atlantic Battalion, Federata Panshiqptare – VATRA, Shoqata Malesia e Madhe, Neë – York, Shoqata Malesia e Madhe, Michigan, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nga Illinois (KShAI), Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Shoqata Peja – Neë – York, Shoqata Kraja, Shoqata Ulqini – Chicago, Shoqata Çameria, Shoqata Prespa – Chicago, Shoqata Uskana, Fondacioni Plavë Guci, Shoqata Ana e Malit, Shoqata Valet e Liqenit, Shoqata Jehona – Michigan, Fondacioni Lukaj dhe Dardania – Shoqata Shqiptaro-Amerikane Houston-Teksas.