Pronari i kompanisë ABI refuzon të deklarohet për punëtorin 15-vjeçar që iu lëndua

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë.

Një rast i tillë i lëndimit në punë ka ndodhur të premten në qumështoren “ABI”, në Prizren. Sipas informacioneve të para, 15-vjeçari ishte lënduar tek linja e prodhimit të ajranit

Sinjali, të premten ka kontaktuar njërin ndër pronarët e kompanisë “ABI SHPK”, Irfan Fusha i cili deklaroi se nuk është i informuar në lidhje me rastin me arsyetimin se është jashtë shtetit.

Një ditë më pas, Sinjali ka kontakuar sërish Fushën për të kuptuar më shumë rreth gjendjes shëndetësore të 15-vjeçarit dhe se në çfarë rrethanash ka ndodhur rasti, megjithatë, pronari i kompanisë refuzoi të përgjigjet.

“Ju kam thënë që jam jashtë shtetit dhe nuk jam në ngjarje“, derisa u pyet se a është interesuar për gjendjen e punëtorit të mitur, Fusha tha “po çka po më vet mua të shtune e dille kush po punon kush s’po punon, nuk i kam dy-tre punëtor por 700″.

Ndërsa pranoi se nuk është i interesuar të japë deklaratë për punëtorin e mitur. “Nuk jam i interesuar, kërkoj falje“, u shpreh Fusha gjatë bisedës telefonike.

Ndryshe, rastin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Togeri Shaqir Bytyqi tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë mbledhur provat dhe kanë intervistuar të gjitha palët.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Dëmtim apo asgjësim i pajisjeve mbrojtëse”.