Në Bosnjë nis marshi vjetor 100-kilometërsh në kujtim të Masakrës së Srebrenicës

Një marsh solemn i paqes nisi të shtunën nëpër pyjet e pjesës lindore të Bosnjës për ta kujtuar Masakrën e Srebrenicës, e cila ndodhi më 1995 dhe e cila është ngjarja e vetme që njihet si gjenocid në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Njerëzit që marrin pjesë në këtë marsh, e ndjekin rrugën që e kishin marrë mijëra burra e djem boshnjakë, kryesisht myslimanë, të cilët më pas ishin masakruar, përderisa po përpiqeshin që të iknin nga Srebrenica, pasi vendbanimi që ishte marrë nën kontroll nga forcat serbe të Bosnjës në pjesën e fundit të luftës së viteve 1992 – 1995, raporton agjencia “Associated Press”.

Marshi është pjesë e disa organizimeve që mbahen para datës në të cilën shënohet përvjetori i masakrës – 11 korrik.

Gati katër mijë persona u bënë pjesë e marshit këtë vit, sipas organizatorëve. Kjo ngjarje po mbahet në kohën kur tensionet etnike në Bosnjë ende janë aktuale. Serbët e Bosnjës po vazhdojnë që të bëjnë përpjekje për më shumë pavarësi, me thirrje të hapura për ndarje nga shteti boshnjak.

“Vij këtu që t’i kujtoj vëllanë dhe miqtë e mi, shokë lufte, që ranë këtu”- tha Reshiq Dervisheviqi, i cili ishte në mesin e atyre që e kishin ecur asaj rruge edhe më 1995. “Besoj se është detyrimi im, detyrimi jonë që ta bëjmë këtë, t’i ushqejmë dhe t’i ruajmë (kujtimet tona)”- shtoi ai.

Osman Salkiqi, një i mbijetuar tjetër i Masakrës së Srebrenicës, tha: “Ndjenjat janë të përziera, kur vini këtu, në këtë vend, kur e dini se si njerëzit ishin shtrirë (të vdekur) më 1995 këtu dhe si është situata sot.”

Lufta në Bosnjë shpërtheu më 1992, pasi ish-Jugosllavia u nda dhe serbët e Bosnjës nisën rebelim e grabitje toke për ta formuar shtetin e tyre e për t’u bërë bashkë me Serbinë. Më shumë se 100 mijë njerëz vdiqën para se lufta të përfundonte më 1995 përmes një marrëveshjeje të paqes, për të cilën ndërmjetësuan Shtetet e Bashkuara.

Në korrik të vitit 1995, më shumë se tetë mijë burra e djem boshnjakë u ndanë nga trupat serbe prej bashkëshorteve, nënave e motrave të tyre, u ndoqën nëpër pyje përreth Srebrenicës e u vranë. Ushtarët serbë të Bosnjës i hodhën trupat e viktimave në disa varre masive, të shpërndara përreth qytezës lindore, në përpjekje për ta fshehur dëshminë e krimit.

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, mohon se në Srebrenicë ka pasur gjenocid, edhe pse kështu kanë konstatuar dy gjykata të Kombeve të Bashkuara dhe se ende gjenden mbetje të viktimave nga varret masive. Ata rivarrosen çdo vit më 11 korrik, ditën kur kishin filluar vrasjet më 1995.

Deri më tani janë gjetur mbetjet e më shumë se 6 mijë e 600 personave. Ata janë varrosur në një varrezë të madhe afër Srebrenicës. Mbetjet e më shumë se 30 viktimave do të rivarrosen të martën.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli; Fotografitë: AP/Armin Durgut