Largimet nga Policia e Kosovës: 35 zyrtarë dhanë dorëheqje vullnetarisht vetëm brenda këtij viti

35 policë vetëm brenda këtij viti e kanë lënë uniformën e Policisë së Kosovës vullnetarisht.

Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë ka thënë Qeveria duhet të përmirësoj kushtet e Policisë, e cila përveç tjerash është edhe pa sigurim shëndetësor qysh nga themelimi.

“Nga informacionet që ne i kemi kryesisht kanë dhënë dorëheqje për shkak të pakënaqësive të kushteve si dhe tani së fundmi edhe të pagës. Por po ashtu si skandal që u krijua në Policinë e Kosovës është shtesa për rrezikshmërinë në punë prej implementimit të ligjit të ri të pagave në muajin shkurt. Janë bërë 5 muaj që prejse nuk është duke u ekzekutuar kjo shtesë dhe kjo ka krijuar pakënaqësi jashtëzakonisht të madhe te Policia e Kosovës, gjë që kemi paralajmërime se nëse kjo nuk bëhet dhe vazhdon kështu do të kemi edhe dorëheqje të tjera në vazhdimësi”, ka theksuar kryesindikalisti i policëve për RTK-në.

Shqetësuese dorëheqjet e policëve i sheh edhe eksperti i sigurisë, Fatmir Çollaku, sipas të cilit, Qeveria duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe konsideratë pjesëtarëve të policisë.

“Braktisja e Policisë së Kosovës nga ana e pjesëtarëve të saj në shumicën e rasteve ndodh për arsye ekonomike, do të thotë pagat e vogla dhe mospagesa e shtesave apo rrezikshmërisë, e që me një fjalë ata persona nuk ndihen me dinjitet dhe e lëshojnë Policinë e Kosovës. Ky është një tregues shqetësues për Republikën e Kosovës sepse shkollimi dhe formimi i një zyrtari policor ka një kosto relativisht të lartë dhe në anën tjetër edhe në aspektin moral e shoqëror është humbje”, ka thënë Çollaku.

Ditë më parë Sindikata e Policisë së Kosovës dorëzoi në Kuvend, peticionin e nënshkruar nga mbi 62% e pjesëtarë të saj, që ka të bëjë me pakënaqësinë me ligjin e pagave. Nga themelimi e deri më tani, 2285 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga shërbimi.