Këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, i ka reaguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për deklaratën e tij lidhur me misionin e trupave të KFOR-it në veri.
Kupina tha se presidentja Osmani ka kërkuar që KFOR-it t’i mbeshtesë institucionevet e Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia dhe jo marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë.
“Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj. Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia. Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia”, thuhet në reagimin e Kupinës.