Propozimi i Ramës për konferencë ndërkombëtare, Konjufca: S’më duket ideja më e mirë, të ftohet vetëm Serbia

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka komentuar propozimin e përsëritur të kryeministrit shqiptar Edi Rama për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë.

Konjufca tha se nuk i duket ideja më e mirë meqë Kosova nuk është faktor destabilizues, por Serbia, për të cilën tha se s’është e kënaqur me kufijtë e saj.

“Nuk më duket ideja më e mirë: mendoj që faktori ndërkombëtar ka nevojë të ftojë vetëm Serbinë në një konferencë dhe ta bindë që nuk mund të ecim përpara pa njohjen e Kosovës. Pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe pa e ndryshuar kjo strukturë e pushtetit në Serbi, e cila është sponsorizuese e këtyre grupeve që destabilizojnë gjithë këto shtete, duke filluar prej Kosovës e Bosnjës, Malin e Zi e kështu me radhë, nuk mendoj që mund të ecim shpejt në integrime europiane”, tha ai për DË në shqip.

Konjufca forcoi edhe më tej deklaratën e tij se Kosova s’paraqet problem për paqen në rajon kur u pyet nëse me konfliktin në Ukrainë, tash edhe me atë në Lindjen e Mesme “që konflikti i Kosovës mbetet ende pezull”.