Rama nuk e përjashton mundësinë e takimit të Kurtit dhe Vuçiqit në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka përjashtuar mundësinë e një takimi të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

Rama ka thënë se nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës duan të flasin me dy shtetet, takimi mund të ndodhë.

“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë”, ka thënë Rama për “Euronews Albania”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në punimet e Samitit të Belinit.