Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë javës, do të udhëtojë për në Paris të Francës, për të marrë pjesë në Forumin e Paqes ku liderët botërorë, krerët e organizatave ndërkombëtare, personalitete të shoqërive civile mblidhen për të diskutuar format e veprimeve kolektive.
Edicioni i pestë i këtij forumi do të organizohet me 10 dhe 11 nëntor.
Shqipëria në këtë forum do të përfaqësohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa autoritetet serbe ende nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Çfarë pritet të ndodhë?
Albanian Post, nga burime ndërkombëtare, kishte kuptuar se si Kurti ashtu edhe Vuçiç gjatë nëntorit do të kenë një varg takimesh më intensive se sa në muajit e fundit, kjo pas dakordësimeve të arritura për rrugën përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit dhe pas pranimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga ana e Kosovës, draft ky i përgatitur nga komuniteti ndërkombëtarë.
Por takimi më i rëndësishmi, që Kurti e Vuçiç, do të zhvillojnë gjatë këtij muaji, siç kishte kuptuar Albanian Post, do të jetë ai me 10 dhe 11 nëntor në Forumin e Paqes në Paris.
Forumi i parvjetshëm adreson nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, duke theksuar mungesën e aksionit të përbashkët në kohëra të turbulencave ndërkombëtare, por këtë radhë, buzë kësaj, rrumbullakson edhe pajtimin dy-palësh Kosovë – Serbi për të vazhduar me zbatimin e pikave të tjera të dala nga Marrëveshja e Brukselit e aneksuar në Ohër.
Gjithashtu, nga ky Forum i Paqes, për shkak të akordit të plotë në rrugën përpara, Kosovës do t’i hiqen masat shtrënguese, duke dhënë shenjën kështu të respektimit të kërkesave nga ndërkombëtarët.
Pajtimi dhe heqja e sanksioneve ndaj Kosovës në njërën anë, do të përcjellet edhe me zhvillime të tjera, si kthim i serbëve të Kosovës në institucione, të paktën në disa nivele, në mënyrë që të mundësohet shpallja e zgjedhjeve.