Para takimit në Bruksel midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë krahas zgjidhjes për çështjen e dinarit, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se përveç dinarit në Bruksel temë e pranishme në takimin e radhës të kryenegociatorëve, që mbahet pas dy ditësh, do të jetë edhe Asociacioni.
“Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një obligim tash e një kohë për Kosovën, kështu që duhet të përmbushet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian, në nivelin më të lartë, atë të liderëve evropianë. Kështu që nëse Kosova nuk arrin që ta përmbush këtë, atëherë kjo nuk do të jetë shenjë pozitive e vullnetit për të ecur drejt normalizimit, që tani është i lidhur me rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit”.
Ndonëse, themelimi i asociacionit është kompetencë e Qeverisë, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, e ka telefonuar presidenten Osmani të cilës ia ka rikujtuar obligimet që ka Qeveria.
“Telefonatë e mirë sot me presidenten e Vjosa Osmani. Ne diskutuam për rëndësinë që Kosova të zbatojë rregulloret monetare për përfitim të gjithë qytetarëve kosovarë, përfshirë edhe komuniteti i pakicës serbe dhe që palët t’i përmbushin të gjitha detyrimet e dialogut të BE-së – për Kosovën kjo përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Pavarësisht kërkesës së faktorit ndërkombëtar që themelimi i Asociacionit është urgjencë, Qeveria vazhdon ta ketë qëndrimin e palëkundur se pikat e marrëveshjes për normalizim duhet të zbatohen sipas renditjes.
Kryetari i komisionit parlamentar për Legjislacion nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, kërkon nga SHBA-ja dhe BE-ja të jenë me racional në kërkesat e tyre sepse, sipas tij, Asociacioni është pika e shtatë e marrëveshjes dhe nuk mund të jetë parakusht për Kosovën.
‘’Qëndrimi i institucioneve të Kosovës është i qartë se marrëveshja bazë e Brukselit duhet të implementohet në tërësi duke filluar nga pika e parë. Nuk mund të shkëputet një pikë dhe të vendoset si parakusht”, tha Rrustemi për rtv21./Express