A do jenë librat falas edhe për vitin e ardhshëm shkollor? Flasin nga Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se edhe vitin e ardhshëm shkollor 2023/2024, të gjitha tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të pestën do të shpërndahen falas, ndërsa nxënësit e klasave të 6 deri në të 9 do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak.

Njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë së një pjesë e madhe e tyre nuk mund të përdoren, pasi janë të plotësuara nga nxënësit e vitit paraprak.

Edhe vitin e ardhshëm shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit ka vendosur që t’i shpërndajë falas librat për nxënësit nga klasat e para deri në të 5 ndërsa nxënësit e klasës së 6 deri të 9 do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak. Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën Ministria e Arsimit.

“Për vitin shkollor 2023-2024, nxënësit e klasave (I-V) do të pajisen me tekste të reja shkollore, ndërsa nxënësit e klasave (VI-IX) do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak, siç e përcakton edhe UA 213/2016. MASHTI ka filluar me procesin e grumbullimit dhe përgatitjes së të dhënave për numrin e nxënësve të cilët duhet të furnizohen me tekste të reja shkollore, për vitin shkollor 2023-2024, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Arsimit.”

Se tekstet shkollore për të gjithë nxënësit e Shkollës fillore të mesme të ulët duhet të sigurohen nga shteti e thonë njohës të arsimit. Xhavit Rexhaj, i tha edukimi fillor është obligim i shtetit për arsye se disa prindër e kanë vështirë t’i sigurojnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.

“ Shteti duhet të shpërndajë tekste shkollore, sepse edukimi i obliguar deri në klasën e nëntë është obligim i shtetit. Duhet t’i shpërndajë sepse disa prindër e kanë të vështirë t’i sigurojnë kushtet për mësim e sidomos kur rriten edhe çmimet e të tjera”, tha ai.

Ndërkaq, për sa i përket teksteve të vjetra ku drejtuesit e shkollave kanë kërkuar nga nxënësit që t’i kthejnë të gjitha tekstet nga klasa e parë deri në të 9, Rexhaj tha se disa prej tyre nuk mund të përdoren, për arsye se fëmijët gjatë procesit mësimore e kanë për detyrë t’i plotësojnë.