A u konsultua me Kurtin për ta takuar Ramën?, Konjufca: S’ndodh asgjë pa konsultim – nuk mora leje

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është pyetur nëse është konsultuar me kryeministrin Albin Kurti për takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Konjufca tha se asgjë s’ndodhë pa konsultim me Kurtin dhe Presidenten Vjosa Osmani, por ka shtuar se s’ka marrë leje për t’u takuar me Ramën.

“Kurgjë nuk ndodh pa konsultime me kryeministrin dhe presidenten. Nuk ishte marrje e lejes. Ishte ide në të cilën erdhëm në diskutim të barabartë dhe të përbashkët”, ka thënë Konjufca.

Për refuzimin e Kurtit që të takohet me Ramën, Konjufca ka thënë se ka dashur që të përçojë një mesazh.

Po, kjo ka qenë ide e kryeministrit dhe duhet të respektohet. Ndonjëherë kështu funksionojnë marrëdhëniet mes shteteve, kur ti dëshiron me përçu një porosi të caktuar se ke qenë i lënduar dhe që kjo nuk është një çështje që duhet të kapërcejë sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha Konjufca.

Duke folur për raportet e Ramës me kryeministrin Albin Kurti, Konjufca tha se raportet mes tyre s’janë të acaruara, por “të lënduara”.

Ai tha se raportet janë lënduar prej anulimit të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, por jo aq shumë sa që të mos e takojnë fare Ramën. Sipas Konjufcës, Kurti e Rama do të takohen së shpejti.

“Nuk është një acarim i raporteve ashtu sic po e quani ju i raporteve, aq sa të mos takohen fare…Unë do ta kisha përdorur shprehjen lëndim, kur të lëndon dikush. Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së qeverive, por jo aq të lënduar sa të mos e presim fare z.Rama…Natyrisht se kjo do të rregullohet së shpejti, ata do të takohen mendoj së shpejti edhe nëse jo sonte”, ka thënë Konufca para gazetarëve.