Ambasadori turk kundërshton masat e BE-së ndaj Kosovës: Janë të njëanshme dhe kundërproduktive

Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angili, në një intervistë për “Klan Kosova”, ka kundërshtuar masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat kishin ardhur si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta pranuar planin e de-eskalimit të situatës në Veri.

“Ne jemi kundër masave unilaterale, sanksioneve unilaterale, është principi ynë kryesor i politikave tona të jashtme, sepse ne besojmë se masat unilaterale janë kundërproduktive”.

“E kemi parë këtë në rastin e Iranit dhe shteteve tjera dhe gjithashtu besojmë se trupi i vetëm ndërkombëtar që ka të drejtë të implementojë sanksione është Këshilli i Sigurisë i OKB-së”, theksoi Angili.

Duke folur për deklaratën e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se zgjedhjet e reja në Veri të Kosovës mund të mbahen vetëm pasi që BE-ja t’i largojë masat ndëshkuese, diplomati turk potencoi se kjo është “është shprehje e frustrimit”, duke shtuar se ka pasur dakordim në Bratisllavë për këtë çështje, duke iu referuar takimit në mes të kryeneogciatorit kosovar Bislimi dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kryeqytetin e Sllovakisë, ku Prishtina pranoi planin e de-eskalimit.

“BE-ja përbëhet nga 27 shtete anëtare, nganjëherë procesi i vendimmarrjes është i vështirë. Sipas mendimit tim jo të gjitha shtetet e BE-së mendojnë se ajo që Kosova ka bërë është e mjaftueshme për deeskalim”, potencoi Angili.