Arrestohet një burrë në Gjakovë, ushtronte dhunë psiqike mbi gruan

Është arrestuar një burrë në Gjakovë, i cili dyshohet se ushtroi dhunë psiqike mbi gruan e tij.

Lidhur me rastin hetuesit policor, kanë arritur të sigurojnë informacion se i dyshuari, përveç që dyshohej për dhunë në familje, mbante armë në mënyrë të paautorizuar, me ç’rast në posedim të tij janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë ajrore dhe një pistoletë me një karikator, përcjell Klankosova.tv.

“Në Stacionin Policor në Gjakovë, me datën 01.03.2024 viktima femër kosovare kishte raportuar se i dyshuari mashkull kosovar (bashkëshorti i saj), i kishte shkaktuar dhunë psikike. Njësitet e nevojshme policore menjëherë kanë filluar me hetimin e rastit. Pas një pune operative dhe hetimore, sot ka rezultuar me lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, lindur në vitin 1991. Pistoletën dyshohet se e kishte përdorur me rastin e festimit të vitit të ri”, njofton policia.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “dhunë në familje”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.