Banjska, Amerika kërkon bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ta çuar në burg Radoiçiqin

Senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, tha se Millan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

Shaheen, që po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është takuar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se sa i përket Radoiçiqit, palët duhet të bashkëpunojnë.

“Unë mendoj se ata duhet ta arrestojnë Radoiçiqin dhe ta çojnë në burg. Ai e ka pranuar përfshirjen e tij dhe ajo çfarë ndodhi më 24 shtator, vrasjet [e një polici të Kosovës dhe tre sulmuesve serbë], tani ai duhet të mbahet përgjegjës për këto veprime. Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për këtë çështje”, tha ajo gjatë një paneli që kishte në fokus situatën në Ballkan.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Gjatë përleshjeve që pasuan në këtë fshat të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serb.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, të cilin e konsideron terrorist, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë Radoiçiqin.