Begaj i quan vëllezër kosovarët: Shqipëria duhet të mbështesë fuqizimin e Kosovës në çdo drejtim

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe do të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme.

Në ceremoninë e festimit të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, Begaj tha se kombin shqiptar i bashkon aspiratat euro-atlantike.

“Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj euro-atlantik”, theksoi Begaj.

Ai theksoi se Shqipëria ka detyrim fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon.

“Përgjegjësitë e Shqipërisë janë edhe më të mëdha se kaq. Ne kemi detyrim për fuqizim të faktorit shqiptar në rajon. Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare. Me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit evropian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë”, tha ai.

Para krerëve institucionalë të Kosovës, presidenti shqiptar tha se pavarësia e Shqipërisë mbetet veprën e madhe e kombit shqiptar.

“Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt, që me përgjegjësi historike, në ditët e rrezikut të madh, jetësuan vullnetin shekullor të popullit, me shumë guxim dhe largpamësi”, shtoi ai.

Në ceremoninë e festimit të 110-vjetorit të pavarësisë në Vlorë, ishin edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti. Pas përfundimit të ceremonisë, liderët shqiptarë vizituan muzeun në Vlorë dhe pinë kafe së bashku./KosovaPress