Biden fiton zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut

Presidenti Joe Biden fitoi lehtësisht zgjedhjet paraprake demokrate në Karolinën e Jugut të shtunën në mbrëmje.

Kjo konsiderohet gara e parë zyrtare brenda partisë për emërimin e kandidatit për president, e që demokratët shpresojnë t’u dërgojë një mesazh votuesve afrikano-amerikanë.

Biden mposhti demokratët e tjerë në Karolinën e Jugut, mes tyre ligjvënësin e Minesotës, Dean Phillips si dhe shkrimtaren Marianne Williamson. Me 74% të votave të numëruara, Biden kishte 108,123 vota, ose 96.4% të tyre. Ai fitoi të 55 delegatët demokratë të këtij shteti.

Zyrtarët e fushatës së tij investuan shumë në rritjen e pjesëmarrjes në një shtet që shihet si një provë e përpjekjeve për të mobilizuar votuesit afrikano-amerikanë, një bllok kyç për një fitore të re të mundshme të Biden ndaj ish-Presidentit Donald Trump, në nëntor.

“Në vitin 2020, ishin votuesit e Karolinës së Jugut ata që dëshmuan se ekspertët e kishin gabim, i dhanë frymë të re fushatës sonë dhe na vendosën në rrugën drejt fitores së presidencës”, tha Biden në një deklaratë. “Tani në vitin 2024, banorët e Karolinës së Jugut folën përsëri dhe nuk kam asnjë dyshim se ju na keni vendosur në rrugën për të fituar përsëri presidencën – dhe për ta bërë Donald Trump-in një humbës – përsëri”.