Bislimi: Do të ketë pesë kritere për statutin e Asociacionit, ka dakordim të plotë në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka një pajtim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti i statutit që propozohet nga ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Bislimi përmendi gjithashtu edhe tri kriteret tjera.

“Në ç’masë është [drafti i statutin] në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 [për Asociacionin]”. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 [për Asociacionin]. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini, i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se këto “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj i vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica [Asociacioni]”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Por, kjo gjykatë ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.