Bislimi i del në mbështetje BQK-së: As që merren me dinarin, Euro ka qenë dhe do të jetë e vetmja valutë zyrtare

Qeveria e Kosovës i ka dalë në mbështetje Bankës Qendrore të Kosovës, një ditë para se të hyjë në fuqi rregullorja e re që specifikon se euroja do të mbetet e vetmja valutë zyrtare në Kosovë, duke përjashtuar dinarin serb me të cilin Serbia i paguan qytetarët serbë në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media të mërkurën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka përsëritur se “euroja ka qenë dhe do të jetë valuta e vetme zyrtare”.

Megjithatë, ai ka thënë se nga 1 shkurti nuk do të nisin masat ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

Bislimi ka thënë se rregullorja e re e BQK-së ka qëllim ta mbrojë integritetin financiar dhe ta mbrojë konsumatorin dhe sistemin e pagesave.

“Tentativa e datës së hyrjes së fuqi nga këndi i ndikimit për dinar, e shpërfill rregulloren në tërësi dhe devalvon të gjitha këto që rregullojnë…”, ka thënë ai duke shtuar se BQK-ja “as që merret me dinarin serb”.

Bislimi ka shtuar se “asnjë qytetar nuk ka arsye t’i frikësohet zbatimit të rregullores së re të BQK-së”.

Bislimi ka thënë se mekanizmat e Qeverisë që mbikëqyrin këtë rregullore do të fokusohen për investim në informim dhe do t’u kërkohet bizneseve në veri që të regjistrohen e komercializohen. Ka shtuar se bankat komerciale janë udhëzuar të hapin degë në veri.

Bislimi ka shtuar se Qeveria ka lutur menaxhmentin e BQK-së që të vendosë linjë komunikimi me Bankën e Serbisë për të gjetur mekanizmat e duhur për mjetet që vijnë nga Serbia.