Borrell e pranon – BE u ka dërguar Kosovës e Serbisë “propozimin e fundit” për normalizim të marrëdhënieve

Shefi i Politikës së Jashtme i BE-së, Josep Borrell, në samitin “BE-Ballkani Perëndimor”, ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka dorëzuar në Kosovë e Serbi versionin e fundit të propozimit më të ri në tavolinën e dialogut.

Borrelli ka konfirmuar se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dorëzuar “versionin e fundit të propozimit që është vendosur në tavolinë”.

Lajçaku ka dorëzuar këtë propozim të hënën në Serbi, e në Kosovë një ditë më pas. Vetë Lajçaku ka thënë se propozimi është version i ri i “dokumentit që e ka paraqitur në shtator”.

Propozimi i fundit që është diskutuar në dialogun Kosovë – Serbi është propozimi i njohur si “franko-gjerman”, për të cilin është thënë se është propozim i BE-së, i mbështetur nga dy shtetet. Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se ka pasur dakordim që për këtë propozim palët të arrijnë marrëveshje deri në mars të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, Borrelli e Lajçaku kanë refuzuar të japin afate.

Po ashtu Borrell ka thënë se tani është një moment i rëndësishëm për dialogun Kosovë-Serbi. Megjithatë, ai nuk ka dhënë afate sa i përket dialogut.

“Është një moment i rëndësishme për dialogun Kosovë Serbi. Dje në serbi e kemi dorëzuar verisonin e fundit të propozimit që është vendosur në tavolinë ndërsa në Kosovë e kemi dorëzuar sot”, ka thënë Borrell.