Dedaj për dëshmitë e mëhershme: S’kam qenë normal

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka deklaruar se është “pishman” për një pjesë të dëshmive që i ka dhënë pasluftës në lidhje me zhvillimet e vitit 1998.

Ai ka thënë të hënën para Dhomave të Specializuara se në shumicën e dëshmive nuk ka qenë në gjendje të mirë psikike.

“Në 90 për qind të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë…Jam kufomë, s’kam asnjë vlerë. Nuk e di pse jam gjallë, unë nuk ligshtohem, jam i guximshëm dhe jam i përgatitur për të dhënë jetën….”, ka thënë Dedaj.

Ai ka shtuar se ishte ndaluar në 1998-n në fshatin Qirez të Skenderajt, por më pas është shprehur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “është heroike dhe ndër ushtritë më të pastra në historinë botërore”.