Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman reagon ashpër ndaj Borrellit e Lajçakut, e akuzoni kot Kurtin

Vuçiq e paralajmëroi të dielën Perëndimin se ata duhet të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse ata zgjedhin Kosovën, Vuçiq ka thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.

Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, në një reagim në platformën “X”, ka pyetur liderët e BE-së nëse e kanë dëgjuar deklaratën e Vuçiqit për Kosovën.

Tutje tha se si mund të vazhdohet me pretendimin se “problemi” është kryeministri Kurti, kur por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës.

“Hej, Joseph Borrel, Miroslav Lajçak dhe Oliver Varhelyi. A e dëgjuat këtë me zë të lartë dhe qartë? Si mund të vazhdoni të pretendoni se “problemi” është kryeministri Kurti? Ju pretendoni se ndiqni “stabilitetin”, por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës! Vonderleyen ju duhet të ndryshoni kursin e BE-së! Tani!”, ka shkruar ai.

Edhe Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, të dielën duke komentuar fjalimin e presidentit të Serbisë, u shpreh se Vuçiq edhe takimin me fëmijët nga Kosova e shfrytëzon për t’i dërguar mesazhe rajonit dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar.

E përderisa Banjska trajtohet si terrorizëm i organizuar nga shteti i Serbisë, ndërsa për autorin e sulmit, Milan Radoiçiq, është lëshuar urdhër i Interpolit, presidenti i Serbisë para fëmijëve nga Kosova shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë veriun e Kosovës, por, veçanërisht duke vënë në dukje Banjskën, për të cilën tha se “e shpallin vend të së keqes, duke mos ditur se kush po përpiqej të na bënte keq ne serbëve…”.

Siç raporton Danas, Vuçiq ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.