Deputetja britanike: Radoiçiqi t’i dorëzohet Kosovës

Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është rreshtuar vazhdimisht përkrah Kosovës në raport me Serbinë, ka komentuar (mos)reagimin e ndërkombëtarëve për sulmin terrorist në Banjskë, i mbështetur nga Beogradi. 

Ajo ka thënë se kryeterroristi Milan Radojiçiq duhet t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, pasi vetë është deklaruar përgjegjës për sulmin, shkruan Reporteri.net. 

Tutje tha se edhe vetë vajza e Afrim Bunjakut, policit të vrarë atë natë, meriton ta shohë Radojiçiqin përballë drejtësisë. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kryeterroristi Milan Radojiçiq, i përfshirë në sulmin terrorist të së dielës në Banjskë, do të futet në listën e të kërkuarve të Interpol-it nga Kosova. Kjo pasi Haxhiu është shprehur e bindur se Serbia s’do ta dorëzojë Radojiçiqin. 

“Tani e dimë se çfarë ka ndodhur. Ne e dimë që ai ka marrë përgjegjësinë dhe problemi është se ende nuk e kemi parë të kthehet në Kosovë. Është absolutisht jetike që ai të kërkojë drejtësi në Kosovë. Vajza e policit të Kosovës që u vra, duke e parë atë në konferencën e saj për shtyp ishte absolutisht trishtuese. Dhe ajo e meriton të përballet me të në gjykatë”, tha Kearns në një intervistë për Atlantic Council. 

Sipas saj, ekziston njëfarë modeli që po përsëritet me Serbinë, ku, ndonëse ka eskalim, komuniteti ndërkombëtar nuk e ndëshkon; mirëpo, Kosovën po. 

“Tani kemi edhe disa trupa britanike në Kosovë dhe kjo është gjëja e duhur për të bërë. Por ne duket se biem në të njëjtin model që bëjmë në mënyrë të përsëritur me Serbinë ku ka një përshkallëzim, dhe më pas nuk ka përgjigje nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe mendoj se është thellësisht zhgënjyese të shohësh se Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së”. 

Deputetja britanike tërhoqi edhe një paralele mes gjuhës së Vuçiqit tash dhe Putinit kur mori Donbasin dhe Krimenë në Ukrainë, që tha se ngjajnë shumë.